E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, operacioni Dukasi prangos 2 grabitësit e 90 mijë eurove

Autorët kapen me 70 mijë euro. Tentuan arratisjen drejt Kosovës
Vjedhja e 90 mijë eurove në fshatin Dukas-Bregas, në Patos ka vënë në lëvizje forcat policore të qarkut të Fierit dhe Shkodrës, të cilat nëpërmjet operacionit të koduar Dukasi kanë bërë të mundur arrestimin e 2 të rinjve Tauland dhe Alket Rrapaj, përkatësisht 33 dhe 25 vjeç, nga fshati Dukas. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se të dy të rinjtë në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë vjedhur në banesën e shtetasit Avdul Velçani, në fshatin Dukas të Patosit, 90 mijë euro dhe një sasi të konsiderueshme bizhuterish. Sipas burimeve policore, shtetasit në fjalë kanë vjedhur me thyerje, duke lënë kështu edhe gjurmë të gishtërinjve në vendin ku është kryer grabitja. Kanë qenë pikërisht këto shenja, dhe një mori informacioni i mbledhur gjatë operacionit Dukasi, ai që ka çuar në pranga dy të rinjtë Rrapaj, të cilët janë gjetur në qytetin e Shkodrës bashkë me një sasi prej 70 mijë eurosh dhe të gjitha bizhuteritë e vjedhura në banesën e shtetasit Velçani. Seksion kundër krimeve ndaj pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, është ndihmuar në këtë operacion edhe nga strukturat homologe të qarkut të Shkodrës që kanë bërë një punë të mirë në përshpejtimin e hetimeve dhe për rrjedhojë edhe në kapjen e autorëve të grabitjes së shtetasit Velçani. Aktualisht dy shtetasit e ndaluar ndodhen në dhomat e paraburgimit në komisariatin e Fierit, në pritje të dhënies së masës së arrestit. Ndërkohë, mësohet se është bërë sekuestrimi i shumës prej 70 mijë euro dhe bizhuterive, të cilat dy shtetasit e arrestuar i mbanin me vete. Burime jo zyrtare nga policia tregojnë se dyshohet se dy të rinjtë Alket dhe Tauland Rrapaj, pasi kanë kryer grabitjen në fjalë janë larguar nga banesa e tyre, për të shkuar jashtë kufijve, dhe mendohet se kanë zgjedhur Kosovën. Tashmë policia po heton se ku ka shkuar shuma prej 20 mijë eurosh që mungon nga paratë e vjedhura në banesën e Velçanit. Ende nuk jepen detaje nga policia e qarkut të Fierit, por burime jozyrtare deklarojnë se lekët mund të jenë shpenzuar pikërisht për të kryer edhe arratisjen jashtë kufijve. Ndërkaq policia e qarkut të Fierit në një deklaratë për shtyp ka siguruar komunitetin e këtij qarku se strukturat e hetimit të krimit në kuadër të intensifikimit të masave për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, do të bëjnë të pamundurën për ruajtjen e personit dhe pronës. E ndërsa vazhdon puna për zbardhjen e grabitjes së 90 mijë eurove, materialit në ngarkim të kësaj çështjeje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për hetime të mëtejshme.

Last Updated on Friday, 17 April 2009 06:06

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›