Apostoli letër partive të majta për të bashkëpunuar në zgjedhjet e 28 Qershorit
Kryetari i partisë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Gaqo Apostoli i ka dërguar letër kryetarëve të partive të majta për organizimin e një tryeze të përbashkët me qëllim bashkimin e të gjitha partive të majta në një koalicion të vetëm në zgjedhjet e përgjithshme politike të 28 Qershorit 2009. Sipas Apostolit, ky bashkim duhet bërë për të garantuar një fitore të plote të së majtës dhe për të realizuar një qeverisje të mirë të vendit dhe të shoqërisë shqiptare.
Duke iu referuar analizave mbi situatën e sotme politike, administrative, elektorale dhe psikologjike, si edhe nga sondazhet që japin institucionet e specializuara, rezulton se fitorja e së majtës garantohet në qoftë se ajo paraqitet e reshtuar në një formacion parazgjedhor të vetëm. Bashkimi i partive të majta në një koalicion të vetëm bën që vota e elektoratit të majtë të maksimizohet, të mos ketë firo elektorale nga indiferenca në votim për shkak të pasigurisë në fitore, si dhe të garantohen e të rriten më tej rezultatet e parashikuara në sondazhet e derisotme për një fitore të plotë të së Majtës, shprehet Apostoli në letër. Sipas tij, brenda një koalicioni të vetëm parazgjedhor të së Majtës, çdo parti e majtë do të marrë maksimumin e mundshëm elektoral të saj, pasi zgjedhësi do të votojë brenda së majtës sipas preferencës që ka dhe nuk do të imponohet nga frika e çuarjes dëm të votës, si në rastin e coptimit në dy koalicione të majta. Apostolit theksoi se bashkimi i partive të majta në një koalicion të vetëm parazgjedhor bën që të rritet graviteti i së majtës dhe ky gravitet i rritur frenon tendencat për abuzim, manipulim e deri dhunim të zgjedhjeve nga segmentet qeveritare, duke krijuar një frymë masive që garanton mbrojtjen e votës dhe të fitores të së Majtës në këto zgjedhje.