E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fier, pas sherrit 22-vjeçari godet me makinë 2 persona. Iu vjedh edhe automjetin, policia vihet në kërkim

Policia e Fierit ka shpallur në kërkim 22-vjeçarin për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes ndodhur “më datë 01.05.2023, rreth orës 18:30, në fshatin Sheqishte, ku një 22-vjeçar me iniciale P.D dhe babai i tij, shtetasi A. D., për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me shtetasit E. Sh., 26 vjeç, D. L., 30 vjeç dhe me një 15-vjeçar.

Sipas njoftimit të policisë, pas konfliktit, i riu “ka përplasur qëllimisht me automjetin që drejtonte, shtetasit E. Sh. dhe D. L. ( të cilët ndodheshin jashtë automjetit në momentin e përplasjes) dhe automjetin me të cilin udhëtonin këta shtetas, si dhe ka përplasur aksidentalisht edhe një automjet tjetër, të parkuar anash rrugës. Më pas dyshohet se shtetasi P. D. ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes”, njofton policia. 

Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshtin Visokë, Mallakastër.

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe kërkimet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›