Fier, policia indiferente ndaj të humburit
Një 61 vjeçar nga rrethi i Fierit ka më shumë se dy ditë që ka humbur. Familja e tij ka denoncuar këtë rast në polici dhe kjo e fundit e ka shpallur në kërkim. Nesti Gjika, banues në fshatin Daullas kishte dalë nga shtëpia ditën e premte të datës 3 shkurt dhe nuk është kthyer më. Në këto kushte familja dhe të afërm të të humburit kanë nisur kërkimin.
Ka dyshime që ai të jetë mbytur në kanalin e quajtur Vija e Ngalës. Kjo për arsye se në një segment të këtij lumi afër fshatit janë gjetur rrobat e 61 vjeçarit dhe pikërisht këtu kanë filluar edhe kërkimet.
Familjarët kanë nisur kërkimet me një varkë por deri tani nuk kanë konstatuar ndonjë gjurmë të mbytjes së 61 vjeçarit.
Ata kanë kërkuar që të bëhen kërkime me polumbarë dhe kanë bërë thirrje për një interes nga ana e policisë pasi deri tani është treguar indiferente.
Ai nuk është një zog pule por është njëri mbi të gjitha dhe policia duhet të kërkojë polumbarë për të filluar kërkimin, janë shprehur familjarët. Ndërkaq kërkimet për ditën e sotme janë pezulluar nga familjarët kjo edhe për shkak se uji ishte shumë i ftohët dhe rrezikonte jetën e tyre.
K.Thana