E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi në BE, Sanino takime me krerët e shtetit

06/02/2012  Mbërrin sot në Tiranë drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian

Vëzhgim i ecurisë së punës për planin e veprimit mes BE-së dhe Shqipërisë

Në kuadër të planit të veprimit për plotësimin e rekomandimeve të opinionit të Komisionit Europian, mbërrin sot në vendin tonë për një vizitë zyrtare drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit në Komisionin Evropian Stefano Sanino. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë zyrtari i lartë KE-së do të zhvillojë takime të veçanta me Kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli, me ministren e Integrimit Majlinda Bregu, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto si dhe me anëtarët e Komisionit parlamentar të Integrimit. Lajmi u bë publik pak ditë më parë nga kreu i delegacionit të BE-së në Shqipërisë Etore Sekui. Qëllimi i vizitës së drejtorit të përgjithshëm të Zgjerimit në Komisionin Evropian është ecuria e punës për planin e veprimit mes BE-së dhe Shqipërisë, i cili u diskutua pak ditë më parë në Ministrinë e Integrimit në prani të ambasadorit të BE-së Etore Sekui. Por gjatë takimeve zyrtari i KE-së pritet të nxisë palët politike të vijojnë bashkëpunimin për përmbushjen e 12 rekomandimeve të vendosura nga BE-ja për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor të këtij viti.

Plani i integrimit

Për përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të opinionit qeveria përgatiti planin e veprimit nëpërmjet një procesi që filloi rreth një vit më parë, në konsultim me opozitën parlamentare dhe shoqërinë civile. Plani i veprimit u miratua në qershor 2011. Disa prej aktiviteteve të parashikuara janë realizuar, disa janë në proces, përfshirë ato që kërkojnë konsensusin e opozitës. Komisioni i Integrimit pak ditë më parë miratoi planin e veprimit për 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian. Sipas draftit të hartuar, janë vënë në vijë 5 rekomandimet e para, të cilat kishin lidhje direkte me Kuvendin. Kështu, në projejektin e përgatitur nga Ministria e Integrimit thuhet se ka nisur puna në Kuvend për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, ndërkohë që është emëruar tashmë Avokati i Popullit. Në ditët në vijim do të vazhdojë puna dhe për ligjet e tjera me 3/5-at të mbetura pezull. Ndërkohë vijon puna për forcimin e kapaciteteve administrative të Kuvendit të Shqipërisë. Ministria e Integrimit bëri me dije se tashmë ka nisur puna dhe për reformën zgjedhore, e cila theksohet në rekomandimin e katërt të BE-së. Në muajin dhjetor Komisioni parlamentar i Integrimit Europian miratoi me konsensusin e mazhorancës dhe të opozitës përmirësimin e planit të veprimit në kuadër të 12 rekomandimeve të bëra nga Bashkimi Evropian.

Rekomandimet 1-4

Rekomandimi i parë për funksionimin e Kuvendit mbi bazën e një dialogu politik të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike është në rrugën e duhur. Rekomandimi i dytë për ligjet me 3/5-at ka nisur si proces, duke dhënë frytet e para. Rekomandimi i tretë është përmbushur plotësisht me miratimin e Avokatit të Popullit. Ndryshimet në kuadrin ligjor për zgjedhjet sipas rekomandimeve të OSBE–ODHIR-it, që është edhe rekomandimi i katërt, ka një progres.

Rekomandimet 5-12

Lidhur me planin e veprimit ministritë e linjës kanë parashikuar rishikimin e tij për prioritet 6-12, duke ngritur grupe pune me përfaqësues të shoqërisë civile për çdo prioritet. Sipas planit të veprimit, ka vullnet politik, ku garantohet mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, që është rekomandimi i pestë. Ndërsa për rekomandimet e tjera plani i veprimit do të publikojë një kalendar të mirëpërcaktuar.

Ambasadori i BE-së

Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Integrimit, ku u dëgjuan sugjerimet e shoqërisë civile për planin e veprimit, ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, tha se “besojmë se roli i fortë i shoqërisë civile është parakusht për anëtarësimin e vendit në BE, sepse shoqëria civile ka rol thelbësor në transformimin e çdo shoqërie në një shoqëri ku të ketë sundim të plotë të ligjit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›