Fier, policia parandalon vrasjen mes kushërinjve
>Policia e Fierit ka arritur të parandalojë në kohë një vrasje të dyfishtë. Në shënjestër kanë qenë dy shtetas nga fshati Shtyllas i Komuns Levan në rrethin e Fierit. Pas një sherri banal mes shtetasit Pëllumb Pulaj dhe dy shtetasve të tjerë, përkatësisht S. P., dhe G. P., këta të fundit janë bërë pre e shtetasit Pulaj.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të pasdites së djeshme, pas një grindjeje mes tre të rinjve, njëkohësisht dhe të afërm me njëri-tjetrin. Sipas policisë së Fierit, pasi kanë bërë një debat të ashpër, i cili ka lindur në moment mes tre kushërinjve, Pëllumb Pulaj ka tentuar të vrasë me automatik shtetasit S. P., dhe G. P., të cilët janë të afërmit e tij. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje duke parandaluar tragjedinë, duke shmangur kështu plagosjen e mundshme të të dy të rinjve. Fatmirësisht nga të shtënat me automatik nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Autori i kësaj ngjarjeje, Pëllumb Pulaj ka rënë në prangat e policisë dhe sipas saj bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Ende nuk është dhënë asnjë version zyrtar i plotë për këtë ngjarje, por sipas policisë tre shtetasit kanë qenë në gjendje të dehur në ambientet e shtëpisë së Pëllumbit dhe pasi kanë ironizuar njëri-tjetrin për disa çaste, Pëllumbi, i cili nuk u ka bërë dot ballë fjalëve me nënkuptim, ka marrë automatikun dhe e ka drejtuar tek dy shtetasit, të cilët kanë shtangur. Të afërm të tyre kanë lajmëruar policinë për këtë debat të lindur në çast, ndërkohë që blutë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur largimin e armës nga duart e autorit