E Diel, 1 Nëntor 2026

Violonçelisti Sazan Binjaku, një emër i vlerësuar në orkestrën e TKOB

>Humbja e çdo artisti aktiv është humbja e një vlere njerëzore të krijuar nga talentet e kombit tonë jo shumë numëroz dhe nga një shkollim i gjatë dhe përkushtues. Sidomos kur artistët i përkasin sektorëve artistikë komunitarë si orkestër, kori, trupa e baletit, çdo humbje e njërit ndjehet kolektivisht dhe përjetohet nga një dhimbje që në shumë ndjeshmërinë e saj reflekton gjatë. E tillë është dhimbja jonë për instrumentistin e shquar, pjesëtarin e Orkestrës prestigjioze të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, violonçelistin Sazan Binjaku, që u nda mbrëmë, pa arritur të çelë siparin e Galasë së Baletit. Me gjithë sëmundjen që u shfaq tinëzisht verën e kaluar, ai nuk u nda nga skena gjithë stinën dimërore të kaluar. Mori pjesë para një jave në turneun e fundit të Orkestrës së Teatrit  Kombëtar të Operës dhe Baletit në Greqi dhe vetëm dy ditë u largua nga provat, pa rënë në sy, sikur nuk deshi të trondiste përgatitjet për çeljen e sezonit artistik të vitit 2009. Sazani ka punuar gjatë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit fillimisht si një nga pjesëtarët e grupit emërmirë "Na bashkoi kënga popullore" dhe më pas në Orkestrën Simfonike të institucionit. I gjallë dhe aktiv gjithmonë. I përkushtuar ndaj jetës familjare dhe me aftësi muzikore të shumanshme, kështu do ta kujtojnë atë miqtë, shokët e formacionit muzikor dhe i gjithë institucioni. Emri i Sazan Binjakut për gjithë ato që përmban, si cilësi njerëzore dhe artistike me largimin e tij befasues dhe të dhimbshëm do t'i përkasë kujtimit të paharruar të atyre që në jetë janë bashkudhëtues të rrugës së progresit artistik të institucionit dhe përfaqësojnë një emër me individualitet në vlerat e përbashkëta të artistëve të Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›