Fier, projektbuxheti, rrezikohet shpërndarja e Këshillit Bashkiak

Mosmiratimi në dy mbledhje i projektbuxhetit për vitin 2010 ka sjellë probleme në Bashkinë e Fierit
FIER - Këshilli Bashkiak i Fierit rrezikon të shpërndahet. Kjo për faktin se projektbuxheti për vitin 2010 vijon të mos miratohet. Janë zhvilluar dy mbledhje deri më tani ku është diskutuar për të, por palët nuk kanë gjetur një marrëveshje, ndërkohë që debatet mes të majtëve dhe të djathtëve kanë qenë të shumta. Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, u shpreh se Këshilli Bashkiak, sipas ligjit, do të mblidhet edhe një herë për të diskutuar projektbuxhetin dhe në rast se nuk do të miratohet, do të shpërndahet. Sipas tij, propozimet e së djathtës në këshill janë sa naive, aq dhe të papërgjegjshme. Zeqaj ka kërkuar një ndërhyrje të kreut të qeverisë shqiptare për të bërë të mundur miratimin e buxhetit, ndërkohë që është shprehur se ngërç nuk ka vetëm bashkia e Fierit, por edhe qytete të ndryshme, si Berati, Vlora etj. Kryebashkiaku ka kërkuar nga këshilltarët të kuptojnë se bëhet fjalë për qytetin dhe se komuniteti fierak pret që ata të votojnë për ndryshimin. "Shumë nga marrëveshjet që janë firmosur po nga ky këshill, ku rolin kryesor e kanë donatorët e huaj apo edhe qeveria shqiptare, mund të dështojnë dhe ky është një turp i madh, - u shpreh Zeqaj. - Ka marrëveshje që janë bërë me Bankën Botërore, Bankën Evropiane dhe qeverinë shqiptare dhe ato duhet të realizohen gjatë këtij viti. Janë akt-marrëveshje që janë të ratifikuara edhe nga këshilli bashkiak i Fierit. Sipas ligjit, ky këshill do të mblidhet edhe një herë, në të kundërtën, në rast se nuk aprovohet, sipas ligjit të fuksionimit të pushtetit lokal do të shpërndahet", përfundoi kryebashkiaku i Fierit. Ndërkohë, e njëjta situatë është edhe në Bashkinë e Patosit. Edhe këtu këshilli bashkiak ende nuk e ka miratuar buxhetin e vitit 2010. Një konflikt mbas largimit të ish-kryetarit të këshillit bashkiak, i cili i përkiste së majtës dhe zëvendësimi i tij nga një këshilltar i mazhorancës së djathtë ka bërë që ky këshill të ketë një ngërç që po dëmton investimet në këtë bashki.