Sekuestrohet 1115,5 kg drogë, 7 në pranga
Policia italiane dhe ajo shqiptare kanë zhvilluar një operacion të përbashkët për trafikun ndërkombëtar të drogës
Janë sekuestruar 1115,5 kg lëndë narkotike, ndërsa 7 vetë kanë përfunduar në prangat e policisë italiane dhe asaj shqiptare për trafik droge. Bëhet fjalë për dy operacione të ndryshme të organizuara nga uniformat blu, ndërsa në të dyja rastet lënda narkotike synonte Italinë. Burime zyrtare të policisë janë shprehur se mbrëmjen e së enjtes, duke gdhirë dita e premte janë arrestuar në Memaliaj katër persona të akuzuar për trafik droge, ndërkohë që në pranga ka përfunduar edhe organizatori dhe blerësi i lëndës narkotike. Droga ishte marrë në fshatin Lazarat dhe kishte si destinacion qytetin e Fierit, ku më pas do të çohej në Vlorë dhe në Itali. Pas marrjes së informacionit, sipas policisë, shtetasit të cilët transportonin lëndën narkotike janë mbajtur nën vëzhgim deri në momentin që e kanë ngarkuar lëndën narkotike në një automjet tip Fiat kamionçinë e mbuluar dhe kanë filluar lëvizjen.
Vëzhgimi dhe ndjekja ka vijuar deri në afërsi të Tepelenës, moment kur është konstatuar nga policia edhe automjeti shoqërues, i cili lëvizte rreth një kilometër para makinës që transportonte lëndën narkotike, me qëllim që të shmangte shërbimet e dukshme të policisë, por pa mundur dot të konstatonte dhe shmangte shërbimet e fshehta. Ndërhyrja është bërë në Memaliaj, në mënyrë që të kapej makina shoqëruese, ku ndodhej organizatori dhe blerësi i lëndës narkotike, konkretisht shtetasi i arrestuar Andi Kurti. Ndërhyrja e policisë është realizuar rreth orës 00:30 të së premtes, në vendin e quajtur "Ura e Memaliajt". Në pranga kanë përfunduar Andi Kurti, 41 vjeç, drejtues i automjetit shoqërues tip Benz me targa EJ 55 USV, Selami Lushkaj, 37 vjeç, pasagjer në automjetin shoqërues, Eglivan Atija, 28 vjeç, drejtues i automjetit tip Fiat kamionçinë me targa EL 9949 B, ku ishte ngarkuar lënda narkotike si dhe Eduart Lushkaj, 20 vjeç, pasagjer në automjetin ku transportohej lënda narkotike, të gjithë lindur dhe banues në qytetin e Fierit. Në kamionçinë ndodheshin 17 thasë plasmasi me ngjyrë të zezë të mbushur me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë, ku pesha e secilit thes varionte nga 15 deri në 17 kilogramë, gjithsej rreth 285 kilogramë. Gjithashtu është sekuestruar një sasi e madhe lekësh dhe valutë dollarë, si dhe 7 aparate celularë me kartat SIM.
Ndërkohë, policia kufitare e qytetit të Vlorës, për më shumë se dy orë ka ndjekur në ujërat e jugut dy mjete lundruese, që janë pikasur nga radari i vendosur në Durrës. Fillimisht sinjalizimi i parë është dhënë për një mjet lundrues, i cili është sinjalizuar në afërsi të Gadishullit të Karaburunit dhe po lëvizte në brendësi të gjirit. Kjo gjë ka mobilizuar menjëherë forcat e policisë, të cilët janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues tip gomone. Në momentin që mjeti lundrues doli nga ujërat shqiptare, janë njoftuar homologët italianë në lidhje. Sipas burimeve të policisë kufitare të Vlorës, në këtë moment është dhënë sinjalizimi për një tjetër mjet lundrues, i cili ishte nisur nga brigjet e Bunecit, në afërsi të Himarës. Kjo ka bërë që aksioni të përqendrohej te ky mjet, por edhe në këtë rast mjeti lundrues ka arritur të hyjë në ujërat italiane. Burime të policisë kufitare, bëjnë të ditur se pas një kohe të gjatë, ky është rasti i parë që dy mjete lundruese lëvizin në të njëjtën kohë dhe të dy me lëndë narkotike.
Nga ana e autoriteteve italiane, në një konferencë për shtyp të dhënë për ngjarjen u deklarua se në pranga kanë përfunduar Arbëresh Hazizi, Almarind Bramaj dhe Xhimi Milkaj. Mësohet se droga e sekuestruar në treg do të kishte një fitim prej një milion eurosh. Burimet zyrtare u shprehën se rreth mesnatës ishin njoftuar nga autoritetet shqiptare për mbërritjen e një sasie të madhe droge, ndërkohë që dy gomone ishin nisur nga Vlora. Në më pak se dy orë agjentët kanë mbërritur në vendin ku pritej të zbarkohej droga. Policia ka arrestuar dy prej shqiptarëve që ishin të fshehur, ndërkohë që pranë tyre kanë gjetur 13 çanta me marijuanë. Bashkëkombasi i tretë është arrestuar në banesën e tij, i cili ishte dhe personi që do të shpërndante drogën. Dy skafistët kishin arritur ta hidhnin drogën në det, por që më pas është gjetur nga policia.
Në Shqipëri u arrestuan
- Eduart Kujtim Lushkaj, vjeç 20, banues në Dermenas të rrethit Fier, me precedentë të mëparshëm penalë,
- Eglivan Novruz Atija, vjeç 28, banues në Sulaj të Rrethit Fier, me precedentë të mëparshëm penalë,
- Andi Hysen Kurti, vjeç 41, banues në Tiranë,
- Selami Hamet Lushkaj, vjeç 37, banues në Baltëz të rrethit Fier me precedentë të mëparshëm penalë.
Në Itali u arrestuan
Arbëresh Hazizi
Almarind Bramaj
Xhimi Milkaj