RENEA, kap vrasësin e të fejuarës dhe prindërve të saj
Murat Nezha ishte dënuar në vitin 2002 për krimin e trefishtë por që nga ajo kohë nuk kishte asnjë të dhënë për të
Forcat speciale negociojnë 40 minuta me të kërkuarin, i cili pranoi të dorëzohej pasi dështoi të arratisej
TIRANË- Nëntë vite pas vrasjes së të fejuarës, vjehrrit dhe vehrrës, RENEA arreston të kërkuarin e dënuar me burgim të përjetshëm, të cilit policia që nga koha e krimit nuk kishte mundur t'i kishte thuajse asnjë foto. Murat Nezha, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e të fejuarë së tij Alida Poga, dhe prindërve të saj, Ramiz e Besime Poga, u arrestua në banesën e tij, në Kodër- Kamëz, ku ai jetonte me gruan e tij dhe me një djalë në një shtëpi pranë asaj të vëllait të tij. Një javë më parë, policia lokale e Kamzës, kishte siguruar një informacion të ri mbi vendodhjen e mundshme të të kërkuarit dhe se sipas tyre ai kishte kohë që jetonte pranë të vëllait. Burimet e policisë pohuan dje se një fakt i tillë kishte më tepër se dy vite që flitej në rrethet e informatorëve të policisë, por se asgjë nuk ishte e sigurtë. Kjo për shkak se vazhdimisht ai lëvzite me një motor me dokumente të rregullta me kokore dhe ishte zbatues i përpiktë i rregullave të qarkullimit. Po kështu sipas burimeve, ai gjithashtu nuk mbante armë për shkak se nga ndonjë kontroll i mundshëm rutinë ai mund të arrestohej, apo shoqërohej dhe më pas mund të zbulohej. Burimet thanë se disa kohë ai kishte qëndruar në Greqi dhe Itali si dhe kishte banuar në Sarandë dhe në Lurë, ku i ishte fshehur policisë.
Operacioni
Pak javë pas mbërritjes së informacionit, policia studioi zonën, banesën ku ishte vendosur familja e të kërkuarit për të orientuar më pas RENEAN. Një plan i vendosjes së shtëpive pranë asaj të Nezhës, iu dha RENEA-së të cilët e përdorën mëngjesin e djeshëm. Rreth orës 7:30, mjetet private brenda së cilës udhëtonin grupet e "kapuçëzinjve", u vendosën në zonën e identifikuar dhe më pas nisën ndërhyrjen, duke rrethuar banesën dhe duke i bërë thirrje për dorëzim. Sipas pjesëmarrësve në operacion, ishte një lëvizje e pamenduar për Nezhën. Sapo ai u njoftua për mbërritjen e trupave, nisi të grindej me të vëllain të cilit iu kërkua të komunikonte me të. Pas një debati me të vëllain për çështjen e dorëzimit, Nezha, u nda me të ndërsa gjatë një bisede me drejtuesit e operacionit ai fillimisht refuzoi të dorëzohej. Këta të fundit i lanë vetëm 20 minuta kohë, në të kundërt do të ndërhyhej. Në këtë kohë, ai mendoi arratinë e tij të dytë, duke tentuar të largohej nga pjesa e pasme e shtëpisë njëkatëshe. Sapo hapi dritaren, ai vuri re rrethimin e trupava me uniformë dhe kapuçë të zinj. Liria kishte përfunduar për të. Menjëherë ai iu komunikoi drejtuesve të operacionit dorëzimin, ndërsa doli me duar lart, 40 minuta pas nisjes së operacionit. Sipas burimeve të Policisë, ndërhyrja e RENEA-s, mund të kishte qenë më e shpejtë, por ajo u vonua për shkak se në banesë kishte fëmijë dhe duhej shmangur pengmarrja e pjesëtarëve të familjes. Pas garancive të policisë, ai pranoi të dorëzohej.
Vrasja
Ngjarja për të cilën ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kavajës, ka ndodhur me 30 dhjetor të vitit 2001 në lagjen nr.4 të Kavajës, pasi Poga, kishte kohë që grindej me vjehrrin dhe vjehrrën e tij, Ramizin dhe Besimen, për motive xhelozie. Shkak për grindjen mësohet se kishte shërbyer dëshira e prindërve të Alidës për ta ndarë atë me Muratin. Ky i fundit sipas burimeve të policisë, pas mosmarrëveshjeve të lindura mes tyre, me një armë automatike "Kallashnikov", ka shkuar në banesën e të fejuarës dhe aty ka qëlluar me armë në drejtim të pjesëtarëve që ndodheshin aty. Nga të shtënat mbeti e vdekur, e fejuara e Muratit, Alida, prindërit e saj, Ramizi dhe Besimja. Në lidhje me këtë ngjarje një vit më vonë Gjykata e Kavajës e denoi me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese tri herë për motive xhelozie dhe armëmbajtje pa leje.