Fier, radhë të gjata pranë sportelit për pasaporta biometrike
E vështirë për tu besuar, por e vërtetë. Qytetarë të hipur nëpër mure, radhë pa fund, dhe një sportel për tërheqjen e pasaportave me vetëm një punonjës. Është pikërisht kjo panorama që të ofrohet në të vetmin sportel për tërheqjen e pasaportave biometrike në qytetin e Fierit. Një situatë më të vërtetë alarmante ka ditë që paraqitet në këtë sportel, por dita e djeshme ka shënuar edhe piku i personave të pranishëm për të tërhequr pasaportën biometrike,
këtë mjet të domosdoshëm idenfitikimi. Më shumë se 2 mijë vetë, me kuponë në duar kanë zaptuar qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm mjediset ku bëhet shpërndarja e pasaportave e si të mos mjaftonin radhët e krijuara në portën hyrëse tek ky sportel, qytetarët janë kacavjerrë mureve për të marrë pasaportat. Ata që janë treguar më të shkathët kanë zënë të parët muret dhe parmakët duke u varur hekurave të sportelit për të dorëzuar kuponin, që i bën posedues të pasaportës biometrike. E gjithë kjo pamje ka shoqëruar ditën e djeshme këtë sportel e ndërsa ata që kanë shprehur habinë janë ata që vijnë për herë të parë në këto mjedise. Është e pamundur që në vitin 2010 të shikosh të tilla grumbullime për të tërhequr pasaportën, që është përgjegjësi e institucioneve ta shpërndajnë brenda të gjitha rregullave. Unë vij për herë të parë, por kam dëgjuar që këtu kanë që në fillim të muajit që nuk mbarojnë dot punë, është shprehur Fatmir Vani, një emigrant i ndodhur në këto mjedise. Ndërkohë, të njëjtin shqetësim kanë ngritur edhe të tjerë emigrantë, që prej ditësh presin në radhë, por pasaporta akoma nuk ka dalë. Jam nisur për në Greqi dhe bashkë me familjen na kthyen. Nuk na kanë pranuar në kufi, megjithëse ishte premtuar që vetëm me kuponin e aplikimit mund të kalonim. Ka kaluar me më shumë se 10 ditë afati i përcaktuar për të marrë pasaportën dhe akoma nuk e kam marrë. Nuk arrij të futem deri te sporteli, por edhe kur kam shkuar pranë sportelit pasaporta ende nuk kishte dalë, pohon emigranti Sami Mani.
Last Updated on E Hene, 11 Janar 2010 21:52