Fier, rrëmbehet 15-vjeçarja, dyshohet trafikimi
Një adoleshente rome është zhdukur prej katër ditësh, ndërsa prindërit e saj kanë denoncuar një 35-vjeçar
FIER - Një adoleshente rome është rrëmbyer dhe prej katër ditësh për të nuk dihet asgjë. Prindërit e 15-vjeçares janë paraqitur në polici duke u shprehur se adoleshentja është rrëmbyer nga një person 20 vjet më i madh se ajo, madje duke e identifikuar. Frika e tyre është se adoleshentja Kadrie Kalemi është rrëmbyer për t'u shfrytëzuar si prostitutë jashtë vendit.
Dashuri Kalemi, nëna e 15-vjeçares, thotë se vajza është rrëmbyer para tregut të shumicës në qytetin e Fierit. Ajo ishte larguar për të blerë ushqime për të ngrënë, por nuk është kthyer më. "Morëm vesh se atë e kishte rrëmbyer Fatmir Hazizi, - thotë nëna e së miturës.
Dashuria rrëfen se personi që ata dyshojnë si rrëmbyes është i martuar dhe me fëmijë dhe ka qenë i dënuar nga drejtësia greke. "Kemi katër ditë që presim që policia të na ndihmojë, - thotë ajo.
- Po presim ditë e natë në derë të policisë, por më kot". Ndërsa Raxhi Kalemi, babai i 15-vjeçares thotë se i druhet dërgimit jashtë shtetit për qëllime prostitucioni të së bijës. "Nuk e di se ku ma ka çuar vajzën. Të gjitha këto ia kam thënë policisë, - vijon ai.
Dhe në fakt babai takon të gjithë policët që hyjnë e dalin në derën e komisariatit, duke iu lutur që t'i gjejnë të bijën. Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se ata i kanë marrë një denoncim prindërve për rastin e zhdukjes së 15-vjeçares Kadrie Kalemi dhe se janë vënë në kërkim të adoleshentes dhe autorit të dyshuar.