E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kryepolici i rrugores "nën hetim" për abuzim me detyrën

KALLËZIMI


Biznesmenët e ndërtimit denoncuan Ahmetin për dhunë ndaj tyre dhe veprime arbitrare


TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, filloi sërish hetimet ndaj ish-kryepolicit të rrugores Krenar Ahmeti për "veprime arbitrare" ndaj dy biznesmenëve të ndërtimit, të cilët pretendojnë se komandanti i shërbimit të grupeve të gatshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës me efektivët në varësi të tij, kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.


Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët shtuan se për llogari të këtij kallëzimi penal vetë ish-kryepolici Ahmeti, është marrë edhe në pyetje bashkë me efektivët e tjerë të policisë.


Sipas kallëzuesve Bujar Kamberi e Besim Ruçi, komandanti i grupeve të gatshme pranë Drejtorisë së Policisë, ka ushtruar dhunë ndaj tyre duke i nxjerrë me forcë nga makina, e më pas i kanë lidhur duart dhe duke i goditur në pjesë të ndryshme të trupit. "Rreth orës 20:00 të mbrëmjes së 16 shtatorit, në rrugën e Dibrës pak metra pa mbërritur tek Medreseja, ku isha parkuar më rrethuan tri makina policie dhe një furgon.


Policët ishin me antiplumba e me armë në duar deri edhe me armë zjarri. Na rrethuan e na nxorën me forcë nga makina, na lidhën duart e na futën në furgon. I kërkuam shpjegime shefit të tyre, Krenar Ahmeti, por ai nuk na është përgjigjur duke na drejtuar armët në fytyrë.


Pas 10 minuta spektakël dhe herë pas herë goditje në trupin tim për shkak të ankesave, na kanë liruar nga prangat duke na thënë se "jeni të lirë, kishim informacion se kishit armë"-thuhet në kallëzim, duke shtuar se fizikisht nuk ishin kontrolluar.


Për të gjitha koto veprime abuzive, sipas kallëzimit, i kërkohet prokurorisë të fillojë procedimin penal ndaj Krenar Ahmetit, i njohur për veprimet e tij të dhunshme që tashmë edhe është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 20 mijë lekë të reja gjobë bashkë me dy kolegët e tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›