E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtim i të infektuarve

Që nga dita e shtunë, në Kosovë numri i të prekurve nga gripi i derrit ka arritur në 15. Gjithsej numri i të infektuarve nga ky virus në Kosovë ka arritur në 57, duke përfshirë këtu edhe tre serbë, analizat e të cilëve janë kryer në institutin Torlak të Serbisë. Këtë shifër e ka publikuar të martën Ministria e Shëndetësisë.

Bëhet e ditur se të gjithë të infektuarit nga virusi A H1N1 janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetë.

Nga analizat e grumbulluara të personave që janë dyshuar të jenë të prekur nga virusi A H1N1, 15 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Mirëpo mund të them se gjendja e të gjithë pacientëve të prekur është jashtë rrezikut për jetë, tha zëdhënësi Hoti.

Ai bëri të ditur se personat e infektuar janë të grupmoshave të ndryshme dhe vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, në ditët në vijim pritet që ky grip të ketë shtrirje në shumicën e komunave të vendit.

Gripi ka gjetur shtrirje pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës. Numri më i madh është nga Prishtina, për shkak se në kryeqytet është fluksi më i madh i njerëzve që qarkullojnë. Megjithatë, të infektuar ka edhe nga Obiliqi, Drenasi, Vushtrria, Prizreni, Gjakova, Mitrovica, etj, tha Hoti.

Ai shtoi se Grupi për menaxhimin e pandemisë është duke e monitoruar situatën dhe së shpejti pritet që të ketë inspektime në shkollat fillore dhe të mesme si dhe institucioneve shëndetësore.

Shumë shpejt pritet që inspektorët sanitarë të dalin për të inspektuar institucionet shkollore dhe ato shëndetësore për të parë se sa po zbatohet rregullorja që është dërguar për masat e shtuara. Me këtë rast, inspektorët do të përcjellin edhe se si po shkon procesi i dezinfektimit, për çka janë urdhëruar shkollat që ta bëjnë, tha Hoti duke shtuar se po ashtu janë duke u monitoruar edhe mungesat e nxënësve në shkolla. Megjithatë, deri më tani nuk është dhënë ndonjë urdhër për mbylljen e përkohshme të tyre.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë të martën kanë apeluar që personat me simptoma të lehta të gripit, përpos atyre me probleme në organet e frymëmarrjes, të drejtohen te Qendrat e mjekësisë familjare për shkak të mosshkaktimit të tejngarkesës së Klinikës Infektive të QKUK-së.

Po ashtu është bërë e ditur se në dhjetor në këtë klinikë do të hapet qendra për mjekim intensiv, ku më pas pritet që pacientët e prekur nga gripi i derrit të trajtohen në këtë qendër.

Fakte
-Në Serbi është regjistruar viktima e nëntë.

-Shqipëria numëron 121 raste me virusin A/H1N1. Tashmë autoritetet e shëndetësisë thonë se nuk do të raportojnë shifrat e të prekurve, por vetëm situatën, komplikimet që mund të sjellë në popullatë, gripi pandemik.

-Në Maqedoni numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar nga gripi H1N1 ka arritur në 17, kurse vetëm njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

-Sipas një ankete të zhvilluar, qytetarët e Polonisë nuk duan ta marrin vaksinën kundër gripit të derrave. 31 për qind e polakëve nuk do të vaksinoheshin meqë frikohen nga efektet e padëshiruara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›