E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, rrihet përgjegjësi i sektorit të patentave

 

Krerët e këtij institucioni ankohen se persona të ndryshëm ushtrojnë presion për të marrë patenta të paligjshme

 

FIER- Drejtoria Rajonale e Shfrytëzimit të Automjeteve në qytetin e Fierit është kthyer kohët e fundit në një vend ku persona të ndryshëm ushtrojnë presione ndaj inspektorëve për të marrë patenta në mënyrë të paligjshme. Madje këto presione kanë degjeneruar shpesh edhe në dhunë fizike kundër inspektorëve. Rasti më i fundit ka ndodhur dje kur është rrahur nga persona të paidentifikuar njëri prej inspektorëve të kësaj zyre. Deri në orët e vona të pasdites policia nuk ka njoftuar për emra konkretë. Nga burimet e këtij institucioni është mësuar se rreth orës 11.00 të paradites së djeshme, ndërsa përgjegjësi i kësaj zyre, Gjon Kola, po ngjiste shkallët e katit të dytë të këtij institucioni befas është qëlluar nga dy persona me grushte. Pas kësaj, dhunuesit janë larguar me vrap duke lënë "viktimën" e tyre. Lidhur më ngjarjen është njoftuar policia e komisariatit të Fierit, e cila ka nisur te hetoje dhe është në ndjekje të kësaj ngjarjeje. I dëmtuari Gjon Kola është shoqëruar në polici ku ka treguar përpara oficerëve të policisë gjyqësore gjithçka që ka ndodhur. Pasi ai ka firmosur denoncimin e këtij rasti, Kola është kthyer në zyrën e tij por ai ka qenë tepër i tronditur nga kjo ngjarje. Gjon Kola ka pohuar se nuk është vetëm ky rasti ku persona të ndryshëm kërkojnë me anën e forcës lejen e drejtimit. "Në këto zyra jemi të pasigurt", shprehet i dhunuari Kola por njëkohësisht edhe dy inspektorët e tjerë të kësaj zyre. "Gjithmonë jemi nën trysninë e presioneve të personave të veçantë duke mos na lejuar të punojmë të qetë",- pohojnë përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Shfrytëzimit të Automjeteve në qytetin e Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›