Fier, sekuestrohet 1.1 kg heroinë, prangoset grupi shpërndarës në shkolla
>Policia e Fierit ka arritur të sekuestrojë një sasi prej 1.1 kilogram heroinë, ndërkohë që ka vënë në pranga 5 persona. Të arrestuarit janë Ardian Pepa, 25 vjeç, banor i lagjes Konferenca e Pezës Fier, Luiz Hajdari, 23 vjeç, banor i lagjes "8 Shkurti" në Fier, i dënuar një herë më parë për vjedhje, Florian Hajro 25 vjeç, lindur në Fier banues në lagjen numër 3 në Tiranë, Todi Conbashi, 38 vjeç, banues në lagjen 16 Prilli në Fier dhe Bledar Alesi, 28 vjeç, banues në lagjen 15 tetori në Fier.
Ndërkohë mësohet se është arrestuar si i dyshuar për bashkëpunim në trafikun e drogës edhe një burrë i moshuar, 75 vjeç, por pas shoqërimit në komisariat është lënë i lirë dhe ndaj tij do të zhvillohen hetime në gjendje të lirë për shkak të moshës. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se të dyshuarit, u gjetën me një sasi prej 1.1 kilogramë lëndë narkotike të llojit heroinë. Të njëjtat burime konfirmuan se kishin në hetim prej ditësh grupin e dyshuar të narkotrafikut dhe detajuan se heroina, ishte e destinuare për shitje në shkollat e mesme të qytetit, pasi kërkohej nga gjimnazistët. Sipas policisë, nga sasia e zbuluar dhe e sekuestruar, 600 gramë u gjet në një banesë, kurse pjesa tjetër prej gjysmë kilogrami, iu kap të dyshuarve, e ndarë në doza, të gatshme për shitje. Nga policia mësohet se Ardjan Pepa identifikohet si personi që kryente shpërndarjen e lëndës narkotike dhe këtë lloj lënde narkotike, heroinë ai e siguronte furnizimin nga Bledar Alesio dhe Todi Conbashi. Ndalimi i të dyshuarve është zhvilluar nëpër lokale, si në qendër të qytetit Fier ashtu dhe në banesat e tyre. Policia pohon faktin se këta shtetas pasi siguronin lëndën narkotike të llojit heroinë e shpërndanin atë nëpër shkolla të mesme të qytetit Fier. Sasia e kokainës u zbulua pasditen e djeshme, ndërsa pesë personat e ndaluar dyshohen se janë përdorues të lëndëve narkotike e shpërndarës të saj. Hetimet e para pas ngjarjes tregojnë se të ndaluarit mund të kenë pasur si qëllim trafikimin e kokainës në tregun vendas. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur ka qenë një operacion i mirëorganuar dhe i posaçëm i antidrogës ai që ka arritur të ndalojë pesë personat, mes të cilëve edhe një të moshuar 75- vjeçar. Burimet policore pohuan se një sasi prej 600 gramësh u gjet në një banesë në Fier, e ndërsa 500 gramët e tjera ishin të paketuara e të ndara në doza, të cilat iu gjetën të dyshuarve në momentin e arrestimit. Ndalimi i shtetasve është bërë pranë urës me shkallë në qytetin e Fierit.