E Diel, 1 Nëntor 2026

PS akuzon Berishën se po grabit pronat shqiptarëve

>Erion Brace: Kryeministri, fushatë grabitjesh trojesh në bregdet
Vlerësimet e fundit për Lirinë Ekonomike në vend konfirmojnë edhe një herë binomin shkatërrues për këtë vend: korrupsionin dhe pronat, të cilat vlerësohen dukshëm më poshtë në indekset e publikuara. Ky ka qenë konkluzioni i socialistëve për qeverisjen e Sali Berishës.
Ditën e djeshme socialistët kanë akuzuar Sali Berishën si grabitës i pronave të shqiptarëve. Nëpërmjet një konference për shtyp nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe ka akuzuar kryeministrin e vendit si simbol i korrupsionit. Socialisti Braçe tha se: Pronat janë përdorur për korrupsion dhe korrupsioni me pronat, tokat, më së shumti është dominant, duke punësuar pushtetarë të çdo lloj qendror apo lokal, ata që merren me bujqësinë, po ashtu ata që merren me ndërtimet në fushë apo në mal, në bregdet apo në pyll, tokë shtetërore, publike, e ndërmarrjeve publike, reparteve ushtarake, e pa ndarë apo me pronarë të certifikuar qysh herët.  E gjitha ka ndodhur apo ndodh me dijeni të plotë dhe nën udhëheqjen e Sali Berishës, njeriu që ka përqendruar në dorën e tij dhe administrimin e tokës apo të gjithë procesin dhe kompensimin e kthimit fizik të pronës. Synimi i tij është të punësojë njerëzit e tij, kjo ka sjellë që të pasurohen, të kthehen në latifondistë, sa hap e mbyll sytë pushtetarë, familjarë, klientë të tyre, në një proces korruptiv që nuk po ndalet. Skena ka qenë dhe është e qartë dhe publike: nga toka me vendime administrative me njerëzit e t'u certifikojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pronave Private dhe në fund bliji fizikisht. Po t'u hedhësh një sy deklarimeve të pasurive të pushtetarëve tanë, të gjitha të blera me çmime qesharake, prona në sipërfaqe të konsiderueshme duke nisur nga familja e Kryeministrit dhe më poshtë. Sipas Braçes grabitja e  tokave publike, ka formësuar një fushatë masive në të gjithë territorin e vendit.  Funksionimi politik i prefektëve, pushtetarëve të Partisë Demokratike në Vlorë, Elbasan, Lushnje,- sipas Braçes  kthehet në një grabitje masive pronash, ku funksionarët politikë  po shpërndajnë masivisht toka publike, në pronësi të familjarëve, përfaqësuesve politik, të afërt me ta, klientë të tyre, e gjitha kjo në sasira të konsiderueshme.
Sipas Braçes, në vetëm 2 muaj, në komunën Novoselë-Vlorë, janë ndarë 100 hektarë dhënë me qera, ku përfitues janë: Këshilltari i PD 1 ha, Kryetari i PD së zonës-këshilltar 10 ha, shoferi i Kryetarit të Komunës 10-ha, një tjetër Këshilltar i PD 4.6 ha, djali i Sekretarit të Komunës 0.2 ha, vëllai i Sekretarit të Komunës 1 ha, djali i Kryetarit të Komunës 10 ha, dy pushtetarët vendorë e drejtor drejtorish në Vlorë 18.3 ha,  2 biznese të dështuara, klientë politikë 19.5 ha.
Në Elbasan, procesi njoftohet publikisht në gazetën lokale të PD të qarkut, nga drejtuesit lokal të PD. Në rrethin e Lushnjës, Kryetari i Bashkisë së Divjakës, këtë vjedhje e ka bërë në emër të të vdekurve, duke nisur nga babai i tij, që ka kohë që ka ikur nga kjo botë.
Ky fenomen që po ndodh, është pothuaj një grabitje kombëtare me përmasa të paprecedentë, nën sytë, nën mbikëqyrjen dhe me vendimet e Sali Berishës. Të gjitha këto toka publike që po grabiten me shpejtësi, që po pasurojnë në kundërshtim me ligjin pushtetarë, familjarë e klientë politikë, të gjitha bashkë, do të duhet të përbënin fondin publik të tokave që do të kompensojë fizikisht ish pronarët, duke ulur koston e kompensimit financiar që nuk po ndodhë.
Ndërsa, ne qytetarët jemi një herë të grabitur nga Sali Berisha, që tokat publike të shtetit, i ndan në mënyra korruptive te familja e tij politike, kurse ish-pronarët janë dy herë të vjedhur, ku prej 4 vitesh po presin të zbatohet ligji për kthimin e kompensimin fizik të pronave të tyre.
Për ta Berisha ka bërë premtime speciale, që aktualisht rezultojnë në gënjështra akoma më speciale, ndërsa grabitja ndaj tyre, është po kaq e veçantë, tha socialisti Braçe.
Sipas deklaratës të djeshme të bërë nga Braçe, Berisha tregoi në tre vite e gjysëm, se njerëzit individualisht apo të grupuar në kategori sociale i do për t'i trembur dhe për t'i vjedhur. Ne garantojmë të gjithë shqiptarët, se ndryshimi i pushtetit, rrëzimi i kësaj qeverie të korruptuar dhe anti-popullore me votë, do t'ju jap fund këtyre praktikave korruptive familjare, madje, do të ndëshkojë plotësisht dhe likujdojë në çdo metër katror tokë të lirë, tha deputeti socialist. Ndërsa i pyetur rreth ligjit të dosjeve dhe deklaratës së një dite më parë të dhënë nga kryeministri Berisha rreth Gjykatës Kushtetuese, Braçe u përgjigj se: Nuk do ta komentoja fare këtë deklaratë të tij. Kryeministri është sot hajduti më i madh i këtij vendi dhe përqendroni vëmendjen të hajdutëria e tij, por jo të çdo temë që hedhë Kryeministri, edhe për ju, me qëllim që të tërheq vëmendjen nga vjedhjet që po bën në të gjithë territorin e vendit. Nëse më lejoni, me modesti, kur ju gazetarëve Kryeministri ju fyen nëpër konferenca për shtyp, ju lutemi largohuni nga ato.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›