Korçë, 15 vjedhje gjatë vitit 2009, dyqanet dhe banesat pre e hajdutëve
>Vjedhjet kthehen në ngjarjet më të zakonshme të këtij viti për policinë e juglindjes. Vetëm gjatë ditëve të para të këtij muaji janë regjistruar në të gjithë qarkun 15 vjedhje, ndërsa vjedhjet e banesave dhe dyqaneve janë ato që mbajnë dhe vendin e parë të klasifikimit. Varfëria duket se është dhe elementi që nxit vjedhjet, ndërkohë që dhe përdoruesit e drogës janë gjithashtu protagonistë të vjedhjeve të shumta për fat të keq.
Ndërkaq në 24 orët e fundit janë regjistruar dhe dy vjedhje të tjera ku në të dy rastet policia ka prangosur autorët. Ngjarja e parë ka ndodhur në një dyqan të lagjes 10 në qytetin e Korçës gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Troka, i arrestuari për këtë vjedhje, 22 vjeç, ka mundur të vjedhë i vetëm një dyqan me artikuj të ndryshëm duke hyrë në të gjatë orëve të mëngjesit kur të zotët e tij nuk kishin shkuar ende në të. Pas shenjave të gishtave dhe dy okularëve që e kanë parë kur është larguar, policia ka bërë në kohë identifikimin e të riut, i cili akuzohet për veprën penale të vjedhjes me thyerje. Ndërkaq vjedhja e dytë është regjistruar mbrëmjen e së premtes në lagjen 16 të Korçës, por këtë herë në shtëpinë e shtetases Valentina Veizi. Genci Ilo, 34- vjeçar ka hyrë në shtëpinë e gruas në momentin që ajo ka qenë e vetme në banesë, ndërsa kjo e fundit ka njoftuar policinë në kohë duke bërë të mundur dhe prangosjen e autorit. 34- vjeçari Genci Ilo ishte i papunë, ndërsa synonte të holla pasi njihet nga policia si përdorues droge.