E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, sherr mes nxënësve të dy shkollave

Pas një koncerti të dhënë për të ndihmuar banorët e përmbytur në Shkodër, një sherr ka përfshirë mbi 50 nxënës

Vetëm mbërritja e policisë ka arritur të vërë qetësi mes dy grupeve, teksa blutë kanë shoqëruar tre të rinj

FIER - Grushta dhe shqelma janë përdorur midis një grup nxënësish të shkollave të qytetit të Fierit, ndërkohë dhjetëra prej tyre simpatizantë bënin tifo për grupet që përkrahnin.

Një pamje që ka tërhequr vëmendjen e qindra qytetarëve të këtij qyteti. Ajo ka filluar fillimisht pranë lulishtes së bashkisë dhe më pas ka vazhduar në rrugën kryesore pranë institucionit të një banke të këtij qyteti.

Askush nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte kur kanë parë mbi 50 nxënës që ndiqnin një grup tjetër nxënësish, duke krijuar habi te qytetarët e rastit, të cilët pyesnin veten se çfarë po ndodhte.

Ishin nxënës të shkollave nëntëvjeçare "Andon Xoxa" dhe "Liri Gero" të këtij qyteti, të cilët ishin përfshirë në një sherr masiv, ku pati dhe fraktura të lehta në fytyrë te nxënësit si rezultat i përfshirjes në këtë sherr.

Askush nuk afrohej, mandej edhe mësuesit e kanë ndjekur sherrin në largësi. Vetëm falë ndërhyrjes së policisë situata është qetësuar. Këta të fundit kanë marrë në makinë edhe tre nxënës pjesëmarrës në sherr.

Dje paradite, shkollat 9-vjeçare të qytetit të Fierit "Andon Xoxa" dhe "Liri Gëro" qenë në një aktivitet zhvilluar në teatrin "Bylis" ku një grup fëmijësh dhanë një koncert, të ardhurat e të cilit do të shkonin në ndihmë të familjeve të përmbytura në Shkodër.
E ndërsa shfaqja kishte mbaruar, në lulishten para bashkisë së qytetit, një grup nxënësish po fjaloseshin me zë të lartë, ndërsa pas pak minutash kaluar në përleshje trup me trup.

Ndërsa nxënësit e tjerë, sidomos vajzat, janë larguar me vrap nga frika duke u vendosur te shkallët e teatrit dhe në bulevardin e rrugës kryesore, përballë prefekturës.

Për të parë se ç'po ndodhte në rrugë kanë qëndruar kureshtarë edhe drejtues automjetesh, si dhe qindra qytetarë. Ndërkaq, kanë mbërritur edhe prindër, të cilët kishin marrë informacion se nxënësit e shkollave ku mësonin fëmijët e tyre ishin përfshirë në një sherr.

Gjithsesi, përleshja ka vazhduar edhe minuta të tjera, kjo edhe për arsye se askush nuk po i ndante. Vetëm atëherë kur dikush ka thirrur "Policia!" nxënësit janë larguar me vrap drejt rrugës kryesore pranë bashkisë dhe më pas janë shpërndarë.

Ndërkohë, uniformat blu të mbërritura në vendin e ngjarjes kanë shoqëruar tre prej djemve të përfshirë në sherr, të cilët janë liruar më pas për shkak të moshës së mitur. Ndërkohë, nuk bëhet e ditur ende se përse nisi grindja mes nxënësve të dy shkollave nëntëvjeçare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›