Ministrja Pula viziton zonat e përmbytura

Ministrja e Energjisë dhe e Minierave, Justina Shiroka – Pula, ka qëndruar për një vizitë njëditore në Shqipëri. Ajo ka takuar ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ndërsa për pas vizitoi Shkodrën ku u prit nga autoritetet lokale dhe vizitoi zonat e përmbytura.
Sipas një komunikate të lëshuar sot nga ministria kosovare, Pula gjatë takimit me homologun e saj shqiptar kanë biseduar për gjendjen e shkaktuar nga përmbytjet në zonat veriore të Shqipërisë.
“Ministrja ka theksuar se bashkëpunimi në fushën e energjisë është i ngushtë si ne nivelin e ministrive përkatëse, po ashtu edhe midis korporatave KEK dhe KESH. Ky bashkëpunim është intensiv dhe bazohet ne interesin që kanë dy korporatat në operimin komplementar të dy sistemeve tona. Shkëmbimet e energjisë elektrike që bëhen midis tyre optimizojnë operimin e tyre”, thuhet në komunikatë.
Ajo tha se në ditët kritike të prurjeve ekstreme në hidrocentralet e kaskadës së Drinit, KEK ka marrë sasira maksimale në formë deponimi për t’i kthyer, kur ka mundësi dhe teprica te veta.
Në këtë takim është diskutuar edhe për projektin e Hidrocentralit të Zhurit, për të cilin Ministri Prifti ka treguar interesim dhe mbështetje te duhur.
Duke u ndalë te gjendja e fundit, Ministrja Pula tha Kosova do të ndihmojë me te gjitha kapacitete e saj Shqipërinë për të sanuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, ndërsa ka konfirmuar se KEK do të vazhdojë të ndihmojë sipas nevojës KESH-in duke marrë tepricat e energjisë nga kapacitet hidrike të Shqipërisë.
Ministri Prifti e ka vlerësuar ndihmën e Qeverisë së Kosovës në këto momente të vështira me të cilat po përballet Shqipëria dhe ka çmuar gatishmërinë e Korporatës Energjetike të Kosovës për të dhënë maksimumin e saj në këto kohë.
Më pas, ministrja Pula ka qëndruar në Shkodër, ku në Shtabin e Emergjencave është pritur nga zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, Prefekti i Shkodrës Maxhit Çungu dhe kryetari i Qarkut të Shkodrës, Xhevahir Kolombo.
Ministrja Pula është njoftuar me gjendjen në terren dhe masat që janë marrë për të menaxhuar situatën. Autoritete shqiptare kanë vlerësuar angazhimin e Kosovës në ofrimin e ndihmës në disa segmente.
Ministrja Pula e shoqëruar nga zv/ministri Alibali dhe drejtuesit lokal të Shkodrës ka vizituar banorët e komunës së Bushatit, e cila vazhdon të mbetet e përmbytur dhe ka takuar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës, të cilët po ndihmojnë banorët e këtij vendbanimi.