Istogu kryesues i Asamblesë së Drenasit
Këshilltarët komunalë të Drenasit në seancën e së premtes zgjodhën me 26 vota pro dhe 5 abstenime, për kryesues të Asamblesë Komunale, Fatmir Istogu, ndërkohë që në këtë seancë është zgjedhur edhe Komiteti për Politikë dhe Financa.
Grupi i këshilltarëve të PDK-së ka propozuar që për kryesues të Asamblesë Komunale të jetë Fatmir Istogu, ndërsa opozita nuk kishte kandidat.
Më pas me pako të mbyllur prej 9 vetave janë propozuar kandidatët dhe janë votuar unanimisht që Komiteti për Politikë dhe Financa të jetë prej 8 vetave nga Grupi i këshilltarëve të PDK-së dhe një nga opozita, përkatësisht kryetari i LDD-së, Rifat Bilalli. Gjithashtu, është votuar edhe miratimi i propozimit për planin rregullues urban në Lagjen e Dëshmorëve në Poklek të Ri.