Përkujtohet Reçaku

Në 11-vjetorin e masakrës së Reçakut, qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe në varrezat e martirëve të këtij fshati.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSK), Agim Çeku, i cili kishte ardhur për të nderuar të rënët, ka thënë se Reçaku dhe qytetarët e saj meritojnë më shumë përkrahje institucionale. “Kjo është diçka që i ka munguar këtij vendi, jo vetëm Reçakut, i ka munguar Kosovës, është diçka çka është bërë, nuk është e mjaftueshme, Reçaku meriton më shumë, qytetarët e Reçakut meritojnë më shumë dhe mendoj se edhe pushteti lokal, por edhe ai qendror duhet të bëjë më shumë".
Më tutje Çeku, ka thënë se e ndien veten mirë që sa ka qenë kryeministër, një ndër gjërat e para që ka bërë ka qenë ndarja e mjeteve për ndërtimin e këtij kompleksi. "E di rëndësinë e tij, e di kontributin, meritën e qytetarëve të Reçakut, mendoj dhe besoj që do të vijë koha kur mund të kontribuoj prapë për këta qytetarë”, ka thënë Çeku, transmeton KosovaPress.
Pas përfundimit të homazheve, është mbajtur edhe ora përkujtimore në shkollën e mesme “Naim Frashëri”.
Njëmbëdhjetë vjet më parë forcat policore dhe ushtarake kriminale serbe nxorën me forcë njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe masakruan mbi 40 civilë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e të moshuar.
Masakra e Reçakut në historinë më të re të Kosovës është një nga ngjarjet që pati ndikimin më të fuqishëm në rrjedhat e atëhershme të luftës, e cila mori edhe mbështetjen ndërkombëtare dhe mandej ndryshuan rrjedhat e historisë për Kosovën.
Reçaku bëri që të zgjohet ndërgjegjja e botës së qytetëruar dhe të mos mungojnë tashmë as reagimet e qarta të saj, të cilat çuan deri tek bombardimi i Aleancës Veri-atlantike të NATO-s kundër forcave paramilitare dhe militare serbe.