Rama: Përmbytjet, pasojë e keqqeverisjes
Kreu i PS: Ditën e diel do paraqesim provat e fajësisë së plotë të qeverisë dhe KESH-it për përmbytjet në Veri
TIRANË - Grupi parlamentar socialist nuk do të pranojë të hyjë në Kuvend pa u bërë më parë transparenca e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë të qartë dje në mbrëmje se në këtë prag sesioni të ri parlamentar që pritet të nisë të hënën, deputetët socialistë nuk kanë ndryshuar qëndrim në lidhje me njohjen e kushtëzuar të institucionit të Kuvendit, për sa kohë kutitë e votimit do të qëndrojnë të mbyllura.
Kështu, duke i prerë rrugë çdo provokimi nga ana e mazhorancës, Rama ka deklaruar se PS nuk mund të pranojë që të bëhet koperturë e një institucioni me legjitimitet të cunguar, siç është Kuvendi i Shqipërisë.
"Pushteti i korruptuar i Sali Berishës, jo vetëm ka gënjyer në mënyrën më skandaloze shqiptarët për të gjitha faktet e shifrat që lidhen me digat e përmbytjes, por edhe po vazhdon të akuzojë, shpifë e madje bëjë diversion të përditshëm me forma sa vulgare, aq edhe qesharake, ndaj Partisë Socialiste, e cila, nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj, të prerë e të qartë, për të mos u bërë fasada demokratike e një parlamenti që s'ka kurajën të hetojë zgjedhjet nga ka dalë duke hapur kutitë e votimeve mbi ta cilat rri", - tha Rama në fjalën e vet.
Në konferencën e djeshme Rama e ka konsideruar situatën në Veri jo si një fatkeqësi natyrore, por si keqqeverisje të vendit.
ër të vërtetuar këtë bindje, kreu socialist ka bërë të ditur se selia rozë, pavarësisht përpjekjeve të pushtetarëve përgjegjës për këtë situatë për të fshehur të vërtetë, zotëron provat e mjaftueshme për të treguar në sytë e shqiptarëve se një situatë e tillë u krijuar për shkak të babëzisë dhe keqadministrimit të digave dhe rezervave ujore nga qeveria.
"Dikush iu ka dalë nga rreshti, teksa të zënë në panikun e hajdutit që i bie valixhja e grabitur nga dora e i hapet në mes të bulevardit, përgënjeshtronit paturpësisht jo vetëm opozitën, po edhe njëri-tjetrin, për faktet e shifrat rrëqethëse që janë tanimë në duart tona.
Ja ku janë, që të gjitha çfarë keni bërë me vetëdije të plotë, me sytë mbyllur, me veshët shurdh, me një gjakftohtësi karakteristike për veprimtaritë e organizuara kriminale, për ta shkaktuar Gërdecin e Ujit duke u bërë shqiptarëve dhuratën më të zymtë teksa hynin në vitin e ri pa marrë as rrogat e vitit të vjetër.
Ja ku janë provat edhe për gjithçka nuk keni bërë për ta ndaluar fatkeqësinë e duarve tuaja, sikur thjesht të kishit respektuar Rregulloren perfekte mbi shkarkimin e plotave në hidrocentralet", - tha Rama.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha faktet që disponon selia rozë do të bëhen të ditura në mbledhjen e nesërme të Asamblesë Kombëtare, ku dhe do të flitet për shtetin e së drejtës dhe gjendjen e demokracisë në vend.
"Ndryshe nga Sali Berisha që shpif duke tundur letra që shkruajnë tjetër gjë nga çfarë ai thotë, unë nuk do të tund këtu asnjë letër, por do t'i ftoj të gjithë shqiptarët të ndjekin, ditën e diel në orën 10.30, prezantimin e provave të fajësisë së plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it, për mbytjen me ujë të mijëra shtëpive e hektarëve toka të mbjella, duke provokuar tmerrin e mijëra familjeve e ankthin e një populli të tërë për fatin e atyre fatkeqëve.
Për të cilët një tjetër lloj tmerri do të fillojë me rikthimin në shtëpi", - shtoi Rama, duke u bërë thirrje njëkohësisht të gjithë atyre ekspertëve që janë vënë në shërbim të zyrtarëve përgjegjës për gjendjen e krijuar në zonën e Shkodrës që të heqin dorë nga plani për të fshehur të vërtetën dhe provat.