E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, shtyhet sërish gjyqi i Ruzhdies

Prokurori kërkon ndryshim të avokatit për një nga komisionerët

Shtyhet sërish seanca gjyqësore për çështjen “Ruzhdie”. Shkak është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës të pesë komisionerëve të djathtë, por dhe njërit prej komisionerëve të majtë, i cili nuk ishte njoftuar nga efektivët blu të Fierit. Ndërkaq, prokurori i çështjes, çlirim Sino, ka kërkuar që avokati Baftjar Shehu të mos mbrojë njëkohësisht komisionerin e PR-së dhe atë të PD-së, për shkak se kanë dhënë dëshmi të ndryshme. Seanca ka nisur në orën 10:00 të së hënës dhe gjatë “apelit” është konstatuar se komisioneri i PS-së, Qazim Aliaj, mungonte në sallë. Ndërkaq, mungonin edhe dy komisionerët e tjerë të PS-së, të cilët ishin përfaqësuar nga avokatët e tyre. Komisionerët e djathtë kanë paraqitur para trupit gjykues emrat e avokatëve mbrojtës në këtë proces gjyqësor. Kështu, Bujar Kararaj, Shezaim Kararaj dhe Pëllumb Myrtaj kanë deklaruar se do të mbrohen nga avokati Zenun Hajdërmataj, i cili kryeson edhe Dhomën e Avokatisë Fier, ndërkohë që Veledin Myftaraj dhe Robert Myftaraj kanë deklaruar se do të mbrohen nga avokati Baftjar Shehu. Po nga avokati Shehu ka pohuar se do të mbrohet edhe banori i Ruzhdies, Elmaz Donaj.

Emri i avokatit Baftjar Shehu ka sjellë reagimin e prokurorit çlirim Sino, i cili i ka kërkuar gjyqtarit se ky avokat nuk mund të mbrojë të pandehurin Veledin Myftaraj, pasi sipas prokurorit, avokati Baftjar Shehu përbën një rast të pastër të papajtueshmërisë së interesave. Sipas tij, i pandehuri Veledin Myftaraj ka deklaruar se komisionerët e PD-së kanë mbushur kutitë me fletë votimi. Kjo deklaratë është ndryshe nga ajo e dhënë prej të pandehurit tjetër, Robert Myftaraj, që mbrohet nga i njëjti avokat. “është jologjike që një avokat të mbrojë dy persona me deklarime të kundërta. Dëshmitë e kundërta këta dy përfaqësues i kanë dhënë për oficerin e policisë gjyqësore Rikard Loloçin gjatë procesit të hetimit”, ka sqaruar për “Shqip” prokurori Sina. Pas kërkesës së prokurorit, gjyqtari i çështjes Roland Jaupaj ka vendosur shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 5 maj në orën 12:30, ndërkohë që ka kërkuar njoftimin e avokatëve të komisionerëve të djathtë si dhe të komisionerit të PS-së që mungonte. Gjyqtari Jaupaj gjithashtu ka thënë se ende nuk është vendosur për kërkesën e prokurorit lidhur me ndryshimin e avokatit Shehu. Kujtojmë se edhe seanca e parë gjyqësore është shtyrë për mungesë të të pandehurve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›