E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina i këput telat Beogradit

Serbia nxit prishjen e linjave të Kosovës në enklavat e veriut

Kosova vazhdon ditë pas dite të ndërmarrë masa për ta çmontuar të gjitha ndërhyrjet e paligjshme të Serbisë në Republikën e Kosovës. Një vendim i tillë ka qenë edhe ai i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për të hequr antenat e telefonisë celulare serbe që vepronin brenda territorit të Kosovës. Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit të Kosovës është i vendosur që të vazhdojë aksionin për heqjen e operatorëve ilegalë të telefonisë mobile të Serbisë, pavarësisht pakënaqësive që mund t’i shkaktojë komunitetit serb. Gjatë aksionit të kësaj jave, ART-ja ka hequr 26 stacione bazë të operatorëve ilegalë në disa pjesë të Kosovës. Sipas kryetarit të Bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, këto stacione janë paralizuar tërësisht, sepse u janë konfiskuar të gjitha pajisjet. Ndërkaq, policia ka thënë se ka marrë masa për ruajtjen e operatorëve të dy kompanive të telefonisë - PTK-së dhe IPKO-s, në ato zona për të cilat ka pasur informacion. Por këto vendime kanë shkaktuar turbullira, pasi në komunat e veriut, konkretisht në Zveçan, që shumica e popullsisë është serbe, janë shkatërruar antenat e telefonisë celulare të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi fuqishëm sulmin ndaj antenës së njërit prej operatorëve të licencuar të telefonisë mobile, që ndodhi në fshatin Rudar i Vogël, të Zveçanit. Në një deklaratë publike, qeveria rithekson përkushtimet e saj të gjithanshme për vendosjen e ligjshmërisë në tregun e telekomunikimeve në Republikën e Kosovës. “Veprimet e dhunshme ndaj operatorëve të autorizuar dhe të licencuar të telefonisë mobile, nga kushdo që bëhen ato, janë veprime kriminale, që cenojnë rendin dhe ligjin dhe si të tilla janë të dënueshme. Qeveria fton organet kompetente që të ndërmarrin hapat e nevojshëm që aktorët e këtij sulmi të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, theksohet në deklaratë. Ndërkohë, qeveria e Kosovës mbështeti vendosjen e ligjshmërisë në tregun e telekomunikimeve në Republikën e Kosovës. Në këtë funksion, qeveria i sheh edhe veprimet e fundit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART) për ndalimin e veprimtarisë ilegale të operatorëve të palicencuar dhe të paautorizuar të telefonisë mobile në Republikën e Kosovës.

Protesta

Qindra serbë kanë protestuar dje, për rreth një orë, në qendër të Graçanicës, duke kërkuar urgjentisht zhbllokimin e telekomunikimit dhe zgjidhjen e problemit me antenat e operatorëve serbë të telefonisë mobile, të mënjanuara nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikimit. Protesta ka kaluar e qetë, ndërsa është thënë se serbët nëpër enklava kanë mbetur të ngujuar dhe të izoluar pa asnjë mjet të komunikimit. Protesta ka filluar me ecjen e qytetarëve dhe pastaj ka pasuar me ndërprerjen e trafikut. Protestuesit e kanë vënë në pikëpyetjet mundësinë e ekzistencës pa telekomunikim, ndërkaq, Rada Trajkoviç, drejtoreshë e Qendrës Mjekësore në Graçanicë ka thënë se qytetarët serbë mund edhe të vdesin nëpër shtëpitë e veta dhe të mos kenë mundësi të thirrjes së ambulancës. Të brohoritura nga nxënës të shkollave të mesme, ndërprerja e rrjetit të komunikimit përmes telefonive ilegale serbe në Kosovë është cilësuar si “krim i radhës” së institucioneve të Kosovës ndaj serbëve nëpër enklava. Shefi i ashtuquajtur i Qarkut të Kosovës, Goran Arsiq, ka deklaruar më parë se protesta do të jetë porosi e qartë për autoritetet në Prishtinë se serbët nuk do të pranojnë kurrfarë shantazhi lidhur me telefoninë serbe. Forca të shtuara të KFOR-it gjenden në dalje, përkatësisht në hyrje të Graçanicës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›