E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, municionet pa limit dhe pa grafik

Dëshmon ish-specialisti i armatimit të Brigadës së Mbështetjes Logjistike

Përveç transportit, i cili është bërë me lekët e ushtrisë, MEICO dhe “AlbaDemil” kanë përfituar dhe municione pa limit nga ushtria shqiptare. Këto fakte kanë dalë gjatë seancës së radhës në çështjen “Gërdeci”, të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Ushtarakë të Komandës Mbështetëse kanë dëshmuar se asnjëherë nuk ka ekzistuar një grafik për transportin e municioneve. Sipas tyre, municionet janë transportuar duke respektuar urdhrat e dalë për këtë proces, i cili po tregon që ka pasur shumë abuzime.

Lavdërim çota, ish-specialist i municioneve në Komandën e Mbështetjes Logjistike, ka qenë dëshmitari i parë i thirrur nga akuza në procesin e djeshëm. çota ka shpjeguar para trupit gjykues gjithë procesin e transportimit të municioneve për llogari të MEICO-s në Gërdec. “Kanë dalë disa urdhra, theksoi çota, për të transportuar municione në fabrikat e demontimit në Gramsh, Poliçan dhe Mjekës. Këto municione do të testoheshin nëse ishin në gjendje të përshtatshme për demontim. Gjatë kësaj kohe, Forcat e Armatosura ishin në procesin e inventarizimit të vlerave materiale”, deklaroi çota. Ndërkaq, i pyetur nëse ishte njohur me urdhrin për transportimin e municioneve, ai u përgjigj: “Jam njohur me urdhrin për t’ia dhënë municionet MEICO-s, urdhër i ardhur nga Komanda e Mbështetjes Logjistike, ku jepeshin tabelat e municioneve, llojet, sasitë dhe kalibrat e tyre. Në këtë urdhër nuk kishte ndonjë grafik për transportin e municioneve dhe se në urdhrat pasardhës nuk ka ekzistuar asnjë kërkesë për një grafik të tillë”. Sipas çotës, transporti bëhej menjëherë pas kërkesës verbale të MEICO-s. “MEICO na lajmëronte një ose dy ditë përpara, që na duhet municion, dhe ne menjëherë pasi kryenim procedurat me repartet përkatëse që kishin nën administrim municionin, e dërgonim atë në Gërdec”, vijoi dëshmitari. çota theksoi se në çdo rast kur transportoheshin municione, njoftohej policia ushtarake, e cila kishte për detyrë ta ruante municionin gjatë rrugës. I pyetur nga prokurorët, nëse ishte kthyer ndonjëherë municioni prapa, ai pohoi: “Një herë fabrika e Gramshit e ktheu municionin, pasi nuk mund të përdorej për demontim”. Ndërkaq, çota përmendi dhe problemet e transportit, që sipas tij kanë ekzistuar dhe për to është raportuar tek eprorët.
Dëshmitarët e tjerë të thirrur nga organi i akuzës, Jonida Deliu, Bujar Alla dhe Shahin Toçilla, nuk thanë ndonjë element të rëndësishëm për të ndihmuar procesin. Varfëria e dëshmive të tyre ka sjellë një debat midis prokurorëve dhe anëtares së trupit gjykues, Fatmira Hajdari. Kjo e fundit u ka kërkuar prokurorëve që ta pyesin dëshmitarët për atë çka ata dinë, në varësi të pozicionit që kanë në hierarkinë ushtarake. Seanca e radhës për gjykimin e kësaj çështjeje do të zhvillohet ditën e premte, ku shpresohet që dëshmitë e reja të hedhin dritë mbi procesin. çështja “Gërdeci” është një nga çështjet më të mëdha të gjykuara ndonjëherë në gjykatat shqiptare, ku të pandehur janë 29 persona.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›