E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, spastrohen drejtorët e shkollave

Edmond Hoxhaj

Më shumë se 100 drejtorë shkollash nëntëvjeçare e të mesme pritet të ndërrohen në ditët në vazhdim

Drejtoria Rajonale e Arsimit në Fier ka nisur një spastrim të gati gjithë drejtorëve të shkollave nëntëvjeçare dhe atyre të mesme, të cilët do të zëvendësohen së shpejti me të rinj. Lajmi është bërë i ditur për gazetën Shqip nga burime zyrtare të kësaj drejtorie, të cilat sqaruan se ndërrimet e drejtorëve të shkollave të këtij qarku kryhen me qëllim rritjen e cilësisë së punës. Ndërkaq, burimet zyrtare nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme lidhur me arsyet e ndërrimit të drejtuesve të shkollave të Qarkut të Fierit. Por, nga burime konfidenciale pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Fier është mësuar se vala e parë e shkarkimit të drejtuesve të shkollave ka qenë për shkak të mospërmbushjes së detyrave nga ana e tyre. Bëhet fjalë për parregullsi të kryera nga këta drejtues gjatë viteve të fundit, që janë evidentuar në kontrollet e ushtruara nga eprorët e tyre. Burimet e sipërcituara kanë shtuar se gjatë ditëve në vazhdim do të ketë shkarkime të drejtorëve të tjerë, deri në 80% të tyre. Shkarkimet do të pasohen me emërimet e mësuesve të tjerë në këto poste. Disa muaj më parë, ka pasur edhe disa ndryshime në Drejtorinë Rajonale të Arsimit në Fier, si dhe atë të Mallakastrës. Drejtorët që po ndërrohen mësohet të jenë emëruar gjatë periudhës kur në krye të DRAF ishte znj. Suzana Numani. Pas shkarkimit të saj dhe emërimit të znj. Miranda Bullati në këtë post, pati pak ndryshime në strukturat e tjera. U ndryshua vetëm drejtoresha e arsimit në Mallakastër dhe rreth 10 drejtues shkollash. Pritet që në këto dy javë të shkarkohen në gjithë Qarkun e Fierit më shumë se 100 drejtorë shkollash. Në Rrethin e Fierit, janë rreth 85 shkolla të mesme e nëntëvjeçare, ndërsa në rang qarku janë 137 të tilla. Në këtë fillim viti shkollor, Drejtoria Rajonale e Arsimit në Fier ka ngritur shqetësimin për mungesën e mirëmbajtjes së godinave të shkollave në disa komunave. Njësitë vendore, në bazë të ligjit, janë ngarkuar për kujdesen për mirëmbajtjen e ambienteve të shkollave. Kështu, sipas burimeve zyrtare të DRAF, shkollat e ndodhura në Komunën Ndërmenas lënë për të dëshiruar. Mësohet se kjo ka ardhur për mungesë të fondeve të kushtëzuara, ndërsa bordet e mësuesve dhe të prindërve të nxënësve kanë nisur të sigurojnë të ardhura që nevojiten për mirëmbajtjen e godinave të këtyre shkollave. E. Hoxhaj

Largimet - Autoritetet nuk kanë dhënë hollësira dhe argumente lidhur me arsyet e ndërrimit të drejtuesve të shkollave të Qarkut të Fierit para çeljes së vitit të ri shkollor

Parashikimi - Pritet që gjatë këtyre dy javëve, edhe pas nisjes së shkollës të shkarkohen në të gjithë Qarkun e Fierit më shumë se 100 drejtues institucionesh arsimore

Kontributi - Bordet e mësuesve dhe të prindërve të nxënësve kanë nisur të sigurojnë të ardhura që nevojiten për mirëmbajtjen e godinave të shkollave në Komunën e Ndërmenasit

Ndryshimet - Disa muaj më parë, ka pasur ndryshime në Drejtorinë Rajonale të Arsimit në Fier si dhe në atë të Mallakastrës. Pas kësaj kanë rendur edhe ndryshimet në rangje drejtuesish

Motivacioni - Vala e parë e shkarkimit të drejtuesve të shkollave ka qenë për shkak të mospërmbushjes së detyrave nga ana e tyre. Për shkak të parregullsive shkëputen marrëdhëniet e punës

Fier, spastrohen drejtorët e shkollave burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›