E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk i firmosin "kemp"-in, karrige kokës mbi mjekun

KORCË- Mjeku Thoma Nini, njëkohësisht dhe ish-Konsulli shqiptar në Selanik, është dhunuar fizikisht ditën e djeshme nga pacienti i tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e së hënës, në dhomën e tij të vizitave, teksa ishte duke kryer shërbimet ndaj pacientëve. Sipas të dhënave, mjeku dhe pacienti paraprakisht kishin debatuar për daljen në kemp të 61-vjeçarit Hajdër Bregu, i cili prej shtatë ditësh vijonte të ishte i shtruar në këtë repart, pasi vuante nga një sëmundje kronike. Sipas policisë, pacienti 61-vjeçar i kishte kërkuar mjekut Thoma Nini, i cili ishte edhe njëherazi kryetar i komisionit të Kempeve, firmosjen e dokumenteve, nën pretendimin se ishte një përfitues i rregullt. Kërkesa e pacientit nuk është pranuar nga mjeku duke e argumentuar kërkesën e tij me shkelje ligjore, pasi për përfitimin e këtyre dokumenteve duheshin plotësuar disa procedura. Duket se kjo nuk është pranuar nga 61vjeçari, i cili sipas policisë ka dalë nga dhoma e vizitave të mjekut dhe më pas është rikthyer sërish duke e goditur barbarisht me një karrige. Mjeku në atë moment ka qenë duke kryer një tjetër vizitë dhe goditja ka qenë e befasishme. 

Agresori e ka goditur pambarimisht mjekun Nini duke e lënë pa ndjenja. Menjëherë të alarmuar pacientë dhe infermierë të ndodhur në këtë repart kanë bërë edhe njoftimin e policisë ndërsa i kanë dhënë ndihmën e parë mjekut Thoma Nini, ish-konsullit shqiptar në Selanik të Greqisë. Sipas bluzave të bardha, mjeku Thoma Nini ka marrë plagë të shumta në kokë dhe trup, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjeku ka të paktën 6 plagë në kokë dhe deri pasditen e vonë të së hënës ndodhej në dhomën e urgjencës. Nga ana e saj policia lokale e cila mbërriti në vendin e ngjarjes bëri të mundur menjëherë arrestimin e 61-vjeçarit Hajdër Bregu nga fshati Drithas në Korçë, nën akuzën "Goditjes për shkak të detyrës".
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›