E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermira Çausholli, nënë për herë të tretë: Jam e lumtur për Dian

TIRANE- Ermira Çausholli, prezantuesja dhe autorja e programit "Histori Dashurie" është bërë dje nënë për herë të tretë, duke u kthyer kështu në të parën moderatore shqiptare, më tri fëmijë. Çausholli ka sjellë në jetë gjatë mesditës së djeshme përmes lindjes natyrale, vajzën e saj të tretë në maternitetin "Koço Gliozheni". 

Vogëlushja do të mbajë emrin Dian, që është një emër francez, e që nënkupton një dhuratë hyjnore. Nga sa mësuam shtatzëninë e Ermirës, e ka ndjekur doktoresha Rubena Moisiu, ndërsa në sallë gjatë lindjes ka qenë mjekia Afërdita Kruja. Vajza peshon 3 kilogramë dhe gëzon shëndet të plotë, sikundër edhe nëna e saj, e cila ndihet tejmase e lumtur për këtë dhuratë që Zoti i ka bërë. 

Gjatë vizitës që ne i bëmë, prezantuesja veç lumturisë që reflektonte në portret pohoi se: "Fëmijët janë bekim nga Zoti dhe lindja e tyre s'mund të sjellë gjë tjetër, veç lumturisë". Dje në dhomën e prezantueses kanë hyrë e kanë dalë shumë miq e të afërm të familjes, mes të cilëve ne spikatëm kolegen e Ermirës, prezantuesen Xhemi Shehun, e cila mësuam se është kushërirë e parë me Çaushollin. Një detaj tjetër që na ra në sy, veç luleve të shumta, tullumbaceve shumëngjyrëshe dhe celularit që nuk pushonte për asnjë moment, ishte edhe prezenca e dy vajzave bukuroshe të prezantueses. Gea dhe Luna nuk kanë lëvizur për asnjë moment nga dhoma, duke treguar një kujdes të veçantë për nënën e tyre, si dhe për motrën e vogël, Dian. Po kaq i gëzuar ishte edhe babai i vajzës, Arditi, i cili dje më shumë se çdo herë tjetër reflektonte një lumturi të pamatë, ndoshta për faktin se do vazhdojë të mbetet i privilegjuari i familjes, mes katër mbretëreshave të jetës së tij.
(ma.ar/summer pages/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›