E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau babë e bir, i akuzuari: Nuk i vrava unë, na bënë pritë

SHKODËR- Unë nuk kam asnjë lidhje me vrasjet e ndodhura. Ditënkur ka ndodhur ngjarja unë kam qenë në Velipojë tek vëllai im". Kështu ka deklaruar para trupit gjykues në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër Leonard Nika, 25 vjeç i cili është arrestuar nga Policia e Shkodrës si bashkëautor në vrasjet e ndodhura më 30 gusht ku mbetën të vrarë babë e bir Frederik dhe Jurgen Marku. Ky i fundit vdiq në Spitalin Rajonal të Shkodrës dy ditë më vonë. Në orët e drekës të së hënës është bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër vlerësimi i masës së sigurisë për Leonard Nikaj në kushte të forta sigurie, me dyer të mbyllura. 25-vjeçari ka rrëfyer para trupit gjykues versionin e tij të ngjarjes duke sqaruar dhe pozicionin e tij. "Një ditë para ngjarjes unë kam qenë duke shkuar në Theth me disa shokë të mi. 

Na kanë prerë rrugën pesë persona dhe duke na kërcënuar na kanë thënë që të mos shkelim më në Theth. Në mëngjes kam shku në Polici ku kam dëshmu për ngjarjen e Thethit dhe më pas kam shkuar në Velipojë tek vëllai im. Kanë qenë familjarët e mi të cilët më kanë lajmëruar se unë isha shpallur në kërkim për një ngjarje që kishte ndodhur. U interesova dhe mësova se çfarë kishte ndodhur. Unë nuk jam munduar të largohem. Përkundrazi, sapo mora vesh se jam shpallë në kërkim, jam nisë për Shkodër, kam taku policin e lagjes i cili më tha se duhet të shkoj në polici për sqarim. Kam shkuar vetë në Polici dhe aty më kanë vënë prangat. Unë nuk kisha asnjë arsye pse të fshihesha. Ka shumë njerëz që më kanë parë në Velipojë gjithë ditën. Nuk kam asnjë lidhje me vrasjet". Ka pohuar kështu i arrestuari nga policia si bashkëpunëtor në vrasje, Leonard Nika. 

Edhe avokati i 25-vjeçarit e ka cilësuar të padrejtë arrestimin e klientit të tij, pasi është arrestuar në shtëpinë e tij pa asnjë provë. Nisur nga kjo situatë, avokati Isuf Lika ka kërkuar lirimin e tij në sallën e gjyqit. Nga ana e tij, prokurori i çështjes ka kërkuar arrest me burg për 20 ditë për të. Sipas prokurorit Ermir Lelçaj, Prokuroria i ka provat e nevojshme për të vërtetuar përfshirjen e Leonard Nikajt në këtë ngjarje, duke përfshirë edhe dëshmitarë okularë. Pasi ka dëgjuar të gjithë palët, gjykatësi Albano Çepeli ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 15 ditë. Sipas tij kjo kohë është e mjaftueshme për mbledhjen e provave shtesë. Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka bërë shpalljen në kërkim edhe të tre personave të tjerë si bashkëpunëtorë në vrasjen e dyfishtë në derën e Spitalit rajonal të Shkodrës më 30 gusht pasdite. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›