E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, s’hapën votimin, komisionerët e PS në gjyq

FIER- Gjykata e Fierit ka tashmë në dorë dosjen e parë hetimore të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërsa është në pritje të përfundimit të plotësimit të dosjes hetimore nga ana e Prokurorisë së Rrethit Fier për qëndrën zgjedhore 30-52 të komunës Ruzhdije, Gjykata ka arshivuar ditën e hënë dosjen gjyqësore të komunës Portëz, ku në dy fshatra, Plyk dhe Mbyet nuk u zhvilluan zgjedhjet.

GSH shkruan sot duke iu referuar burimeve zyrtare nga Prokuroria dhe Gjykata e Fierit se, dje ka mbërritur në Gjykatën e shkallës së parë të rrethit Fier dosja gjyqësore në ngarkim të 6 komisionerëve të dy qendrave të votimit, 31-19 dhe 31-20 që i përket komunës Portëz.

Komisionerët, të cilët janë të prekur drejtpërdrejtë nga ligji për shkelje të kodit zgjedhor (kryetar, n/kryetar dhe sekretar të këtyre dy qendrave) janë: Mane Goxhaj, Kastriot Hoxhaj, Abedin Cobaj, Lefter Kallashi, Tajar Behari dhe Riza Metaj. Këta komisionerë janë proceduar penalisht për “braktisje të detyrës”, në bazë të nenit 169 të Kodit Zgjedhor, pasi nuk kanë bërë tërheqjen e bazës materiale dhe si përfundim, u kanë mohuar banorëve të fshatrave Mbyet dhe Plyk të drejtën e votës. Ndaj këtyre komisionerëve, në datën 12 shkurt është marrë masa e vlerësimit me “detyrim paraqitje”, ndërsa dosja gjyqësore ka mbërritur zyrtarisht ditën e hënë.

Kryetarja e PS-së, komuna Portëz, Agetina Demiraj, reagon ashpër duke deklaruar se nuk po ndëshkohen ata që nuk bënë punën, por ata që bënë detyrën e tyre.

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi deklaroi mbrëmë në një intervistë televizive se përveç ndjekjes penale për komisionerët e komunës Ruzhdije në Fier, hetimi i Prokurorisë nuk mund të ndikojë në asnjë formë në rezultatin e zgjedhjeve. Sipas saj nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që mund të ndikojë në verdiktin e 28 qershorit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›