ERE i kërkon OSSH korrigjim faturash
TIRANE-Pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me faturimin e energjisë elektrike për muajin dhjetor me tarifat e reja, Enti Rregullator i Energjisë i është drejtuar kompanisë private OSSH, duke i kërkuar të kompensojë konsumatorët. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, Enti ka sqaruar se çmimet e reja të energjisë duhet të aplikohen nga 1 janari i 2010-ës, e jo përpara këtij afati dhe se aplikimi që në muajin dhjetor është një shkelje e kompanisë private. Sipas drejtores për Mbrojtjen e Konsumatorit pranë ERE-s, Entela Çipa, ankesat e qytetarëve kanë qenë të shumta. "Nisur nga kjo situatë, - thotë Çipa, - i është kërkuar kompanisë që të respektojë vendimin e bordit të komisionerëve, i cili ka vendosur që tarifat e reja të zbatohen në afatin e përcaktuar, pra më 1 janar 2010. Njëkohësisht i është kërkuar kompanisë që të bëjë llogaritë, për t'u kthyer lekët familjeve në muajt në vazhdim". Faturat e energjisë elektrike për muajt dhjetor-janar 2010 kanë ardhur në shifra të larta për shkak të llogaritjes së konsumit me çmimet e rritura. Kjo situatë i ka detyruar qytetarët, por edhe përfaqësues të politikës, të denoncojnë publikisht këtë fakt. Megjithatë, shpresat që qytetarët të përfitojnë kompensim nga kjo shkelje mbeten minimale, pasi sistemi kompjuterik i faturimit teknikisht e ka të vështirë ta realizojë këtë korrigjim.
Qeveria
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ende nuk ka bërë efektiv fondin për të kompensuar familjet në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë. Sikurse ndodh në shumicën e vendeve me ekonomi tregu, rritja e çmimit të energjisë elektrike shoqërohet me një fond të posaçëm të buxhetit të shtetit për të ndihmuar familjet në nevojë, duke lënë "zbuluar" më të pasurit. Sipas ligjit përkatës të miratuar nga Kuvendi, 1 miliard lekë, ose 0.1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, do të sigurojë mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e tarifave. Kjo shifër ishte parashikuar në masën 5 miliardë lekë në vitin 2008 dhe 0 lekë një vit më parë. Praktika e afrimit të tarifave me koston e produktit është njohur botërisht, por në rastin e vendit tonë, në pamundësi që të sigurohen fondet e buxhetit për ndihmën e më të varfërve, këta të fundit rezultojnë edhe më të goditurit.
(d.b/BalkanWeb)