Fier, të rinjtë i shmangen shërbimit ushtarak, vetëm 8 vullnetarë në sezon
/>Të rinjtë në qarkun e Fierit i shmangen ushtrisë në mënyrat më të mundshme për të mos e kryer atë. Nga rreth 10 mijë shtetas që kanë mbushur moshën e ushtrisë në këtë qarku, mësohet se vetëm 8 persona janë paraqitur me dëshirë për ta kryer atë.
Nga 9750 shtetas që numërohen në listat e personave që nuk e kanë kryer ushtrinë, rreth 580 janë studentë, një pjesë janë në emigracion por që ende nuk ka shifër konkrete, e të tjerë që jetojnë këtu kanë humbur interesin për ushtrinë, madje i shmangen asaj duke nëpërkëmbur kështu ligjin për shërbimin ushtarak. Sipas shefit të mobilizimit në Fier, nënkolonel Ibrahim Hasani, deri tani janë për të rekrutuar 104 shtetas që ndodhen në Shqipëri dhe i përkasin rrethit të Lushnjës, 108 janë nga Fieri dhe nga Ballshi janë vetëm 3. "Aktualisht kemi nxjerrë listat për ata që ndodhen këtu dhe i kemi shpërndarë në Fier, Lushnjë dhe Ballsh", tregon ai. Problem madhor që lidhet me fenomenin e braktisjes së ushtrisë është ai i fshehjes. Fshehja e deritanishme e numrit të saktë të djemve që mbushin moshën 19 vjeç, pra moshën e ushtrisë, ka bërë që nga drejtoria e mobilizim rekrutimit të ndërhyhet me masa konkrete. Sipas shefit të mobilizimit në Fier, shumë shpejt do të ketë persona konkretë që do të vihen përpara ligjit, pasi ligjërisht kryetarët e fshatrave dhe kryetarët e komunave duhet të bashkëpunojnë për mbledhjen e ushtarëve dhe realizimin e planit të përcaktuar në bazë të fazave të mobilizimit. Nuk do të lejojmë që të nëpërkëmben këto raste. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohen se shërbimi ushtarak është detyrë e gjithsecilit. E njihja këtë problem të hershëm në qarkun Fier dhe jam munduar të kontaktoj nga afër me të gjitha institucionet qoftë këtu në Fier, Lushnje dhe Ballsh, qoftë edhe në zonat më të thella rural. Meqë fillon këtë muaj faza e re, ne do të forcojmë lidhjet institucionale ndërkohë do të mbajmë lidhje edhe me policinë e qarkut. Sipas sondazheve tona ka rezultuar që shpesh herë të na jepet numri zero dhe ne kemi arritur të gjejmë tetë djem në moshë ushtrie. Kjo për ne do të thotë shumë", ka deklaruar Hasani. Ndërsa ndër objektivat kryesore mbetën projekte konkrete për të shndërruar ushtrinë nga një formacion vullnetarësh në një formacion profesionistësh ku një rol të madh ka edhe sensibilizimi i njësive të qeverisjes vendore për rekrutimin e kontingjentit të ushtarëve profesionistë. Sipas zotit Hasani, në kuadrin e reformimit të ushtrisë krijimit të një strukture ushtarake profesioniste dhe eficente është vendosur që në vitin 2010 forca e armatosur të përbëhet nga efektiva profesionistë, ushtarë me pagesë.