Hapja e dosjeve, Stoppel: Ligji s' zbardh të shkuarën. Nuk është transparent.
MYNIH- Wolfgang Stoppel ekspert juridik dhe gjykatës në Mynih të Gjermanisë, njëkohësisht njohës i mirë i cështjeve të së drejtës në Shqipëri është skeptik përsa i përket faktit se ligji “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë” do të sjellë transparencën e duhur për krimet e ndodhura gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.
Në nj intervistë të dhënë dje për radion gjermane “Doice Welle” Stoppel i pëgjigjet me një JO të plotë pyetjes se sa transparencë do të sjellë ky ligj në trajtimin e rasteve të veçanta të viktimave të asaj kohe.
Ai beson se ligji do të ketë të njëjtin fat si në vitet 90 kur për largimin e funskionarëve dhe zyrtarëve që kanë qenë të lidhur me regjimin komunist, nenet u zbatuan kuadrin e kontradiktateve politike. “Kështu do të jetë edhe fati i këtij ligji të ri. Me këtë ligj, qarqet e personave të prekur janë të përcaktuara qartë, pra kush është i prekur dhe do t'i nënshtrohet shqyrtimit të figurës. E përcaktuar qartë është gjithashtu edhe se cilat persona kërkohen, megjithëse ka edhe disa klauzola të përgjithshme”.
Më tej eksperti juridik dhe njohësi i mirë i së drejtës në Shqipëri beson se procedura që do të zhvillohet tek Autoriteti i Kontrollit me dyer të mbyllura do të jetë e njëanshme dhe “Nuk jam i sigurtë nëse një procedurë e tillë mund të quhet transparente”
Stoppel beson se ligji nuk ka të bëjë me viktimat apo zbardhjen e së shkuarës: “Është për të ardhur keq se parlamenti shqiptar njëzëri që në vitin 2006 ka miratuar një rezolutë për dënimin e krimeve të terrorit komunist. Në këtë rezolutë ishin renditur një sërë pikash se si duhej bërë zbardhja dhe ballafaqimi me të shkuarën komuniste, aty parashihej edhe krijimi i kushteve të posaçme në favor të viktimave të diktaturës, që ata të merrnin në dorë dosjet e tyre, të kishin mundësi të kuptonin se çfarë ka ndodhur, pasi shumë vetë nuk e dinë këtë as sot. Shumë gjëra nga këto që përmenda nuk gjenden në këtë ligj, por ky as nuk ka qenë synimi i ligjit. Por duhet thënë se ligjit i është bërë një shtojcë në konsultimet parlamentare të minutës së fundit, ka një nen, ku çdo qytetar ka të drejtë të bëjë kërkesë në komisionin e kontrollit nëse gjenden të dhëna për personin e tij në dosje. Megjithatë nuk bëhet fjalë për të drejtën personale të shikimit të dosjeve, por në këtë ligj bëhet fjalë për të përcaktuar nëse ka të dhëna që bien ndesh me funksionin apo pozicionin e sotëm”
Stoppel thekson se me këtë ligj nuk ka për të ndodhur ballafaqimi i shumëpritur me atë që ka ndodhur në periudhën e komunizmit dhe që të kuptohet edhe pse ka ndodhur. “Në këtë pikë me sa duket nuk do të ndryshojë gjë në Shqipëri. Kjo do të thotë se zbardhja e së shkuarës nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur, pasi askush nuk ka të drejtë të futet në arkiva. Nëse është keq apo mirë për vendin, kjo është çështje politike, do të ishte mirë të fillohej ndonjëherë në kuptimin që të vihej në vend raporti viktimë-xhelat, por me sa duket në Shqipëri duan të zgjidhin problemin e së shkuarës në mënyrë biologjike. Sepse në vitin 2025 nuk i intereson më askujt se çfarë ka ndodhur më parë. Për fat të keq është kështu, më duhet ta them. Në Shqipëri si edhe më parë procesi i transformimit drejt demokracisë paraqet defiçite, që pasqyrohen në polarizimin politik”.
Ligji i dosjeve aktualisht ndodhet në tryezën e Presidentit të Republikës Bamir Topi i cili pritet që brenda afateve ligjore të dekretojë ligjin ose ta kthejë atë në Kuvend.
(s.g/DwWelle/BalkanWeb)