Fier, tentuan të vidhnin një dyqan, ndalohen 3 vlonjatë
Tre persona nga Vlora janë vënë në pranga të policisë fierake pasi dyshohen se janë autorë të vjedhjes së mbetur në tentative të një dyqani që ndodhet vetëm 20 metra larg godinës së bashkisë Fier, por që dyshohen se mund të jenë autorë edhe të vjedhjeve të disa banesave e dyqaneve të tjera. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier.
Edmond Dhanaj, 39 vjeç, i dënuar një herë për armëmbajtje pa leje, Arjan Nikaj, 41 vjeç, me profesion axhustator dhe Leonard Begaj, 42 vjeç, janë që të tre autorët e dyshuar dhe të ndaluar prej policisë. Policia pohoi se këta tre shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë tentuar që të vjedhin një dyqan fotografik disa ditë më parë. Burimet policore pohuan se vjedhja ka mbetur në tentativë pasi ata janë pikasur nga një roje private dhe janë larguar, por ai u kish marrë targën e automjetit. Ata kishin filluar që të dëmtonin bravën në derën kryesore të dyqanit. Denoncimi është bërë në polici pasi pronari ka parë dëmtimin e bravës së derës kryesore kur ka shkuar për të hapur dyqanin. Atij i ka treguar çdo gjë rreth ngjarjes edhe roja private. Më pas policia është vënë në kërkim të tyre dhe ka mundur që të kryejë ndalimin e tyre, ku pas kontrollit të ushtruar ka sekuestruar edhe sende të cilat mendohet se janë përdorur për këtë vjedhje të mbetur në tentativë.