Basha dhe Bumçi reklamojnë qeverinë në takime elektorale
Kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike kanë zhvilluar takimet e tyre elektorale. Ministri i Punëve të Jashtme, njëkohësisht kandidat për deputet në qarkun e Elbasanit Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorë të komunitetit Gollobordës të qytetit të Elbasanit. Në këtë fjalim ai ka shprehur vlerësimin maksimal për nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave në vitin e parë të mandatit të dytë të mazhorancës së djathtë. Brenda qershorit të vitit që vjen çdo shqiptar do të udhëtojë pa viza në BE, ka deklaruar ministri Basha.
Pasi ka ripërsëritur edhe një herë arritjet e qeverisë së kryesuar nga kryeministri Sali Berisha, Basha ka premtuar rritje të mëtejshme të pensioneve dhe të rrogave. Ndër të tjera, ai theksoi se segmentet rrugore të rëndësishme si ai Elbasan-Tiranë do të jenë një përparësi për qeverisjen e katër viteve të ardhshme. Ndërsa kandidati tjetër për deputet i PD-së, njëkohësisht edhe kreu i kësaj partie në Tiranë, Aldo Bumçi është takuar me disa fermerë të komunës Ndroq, në kryeqytet, të cilëve u premtoi se në 4 vitet e ardhshme do të pesëfishohet granti për fermerët shqiptarë. Bumçi u njoh nga afër me investimet e kryera në këtë zonë si dhe bisedoi me fermerët mbi mundësitë që do të ofrohen për financimin e projekteve në bujqësi dhe agro-industri. Nga ana e tyre, fermerët vlerësuan mbështetjen e dhënë nga qeveria për shtimin e prodhimit bujqësor. Ata thanë se subvencionet e dhëna i kanë ndihmuar për të shtuar sipërfaqet e mbjella duke rritur kështu prodhimin vendas.