E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, arrestohet 46 vjeçari që aplikoi për kartë me identitet të rremë

Pranga pas 24 orëve 46 vjeçarit, shkoi me certifikatë false për kartë identiteti. Një banor i qytetit të Korçës është arrestuar pas urdhrit të ndalimit të organit të akuzës në juglindje për veprën penale të falsifikimit. Edmond Frashëri, banor i lagjes 6 në qytetin e Korçës, dy ditë më parë mësohet të ketë shkuar për të aplikuar për kartën e identitetit. Në qendrën e aplikimit ai është prezantuar me një certifikatë të falsifikuar, teksa disa ditë më parë ai kishte aplikuar me identitetin e tij të vërtetë. Alarmi është dhënë nga një prej operatoreve në aplikimin për karta identiteti. Më pas kanë qenë drejtues të bashkisë së qytetit të cilët kanë kërkuar ndihmën e organeve të policisë për të hetuar rreth ngjarjes. Edmond Frashëri që ka tentuar të aplikojë për herë të dytë me emrin Eduard Frashëri, fillimisht është shoqëruar në polici, ndërsa pas hetimeve të prokurorisë gjatë paradites së djeshme është prangosur pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga ky organ. Edmond Frashëri akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Ky është rasti i parë në qytetin e Korçës ku një qytetar tenton të pajiset dy herë me kartë identiteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›