E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, ujërat e lumit Vjosë përmbytin 75 ha tokë

 

RESHJET/ Në disa vende lumi kaloi pikën kritike duke dalë nga shtrati, por pa shkaktuar dëme në njerëz

FIER - Banorët e disa fshatrave të komunës Levan dhe Frakull të rrethit të Fierit e gdhinë jashtë natën e së enjtes duke gshirë e premte, nga frika e daljes së lumit Vjosë. Shirat e shumta të rëna gjatë këtyre dy ditëve në vendburimin e lumit bënë që duke u gdhirë dita e premte ai ta kalojë pikën kritike duke dalë nga shtratit. Kështu, mëngjesin e djeshëm, në vendet ku kjo pikë ishte më e ulët, uji ka rrezikuar seriozisht shtëpitë anash shtratit të lumit, në të dy brigjet e tij, si në komunën Levan dhe konkretisht në fshatin Ferras, në Pishporo, si dhe në fshatin Çerven të komunës Frakull. Në këtë të fundit ujërat përmbytën rreth 75 ha toka të mbjella. Në krahun tjetër të lumit, te vendi i quajtur Mifol, ujërat e rrëmbyeshëm të Vjosës kanë përmbytur oborret e disa shtëpive të ndërtuara pranë.

Prefekti i qarkut të Fierit, Shahin Bejdaj, i cili dje ishte në zonat e rrezikuara u shpreh se shtabi i emergjencës kishte marrë masa për çdo të papritur duke siguruar çadra, si dhe materiale të tjera që duhen në të tilla raste. Edhe dy ditë më parë ai deklaroi se do të rrinin në gatishmëri, pasi shirat e rënë në burimin e lumit në jug të vendit ishin të shumta dhe si rrjedhojë edhe prurjet ishin rritur. Ndërkohë, të gjithë banorëve të qarkut të Fierit, që përfshinin katër komuna të dy qyteteve, iu dha urdhri që të ishin në gatishmëri gjatë gjithë kohës. Drejtori i Ndërmarrjes së ujësjellësit, Agim Plepi, lidhur me situatën e krijuar u shpreh se disa nga puset që furnizojnë qytetin e Fierit me ujë të pijshëm janë të rrezikuara. Ky rrezik do të jetë më i pranishëm nëse uji i afrohet ujësjellësit të Kafarajt.

Ndërkohë, kryetari i komunës së Levanit, Agim Qejvani, pohoi se fshati Ferras dhe fshatra të tjerë janë gjithnjë të rrezikuar nga fryrja e lumit të Vjosës. Si rrjedhojë, banorët e këtyre zonave janë paralajmëruar për të marrë masa që të sigurojnë çdo gjë për të përballuar situatën. Gjithsesi, deri në orët e vona të pasdites, intensiteti i prurjeve të ujërave ishte më i ulët se ai i mëngjesit duke dhënë shpresa për një përmirësim të situatës dhe heqjen e gjendjes së alarmit në qarkun e Fierit, si dhe në zonat ku kalon lumi Vjosë. Përveç këtij lumi, shirat shkaktuan daljen nga shtrati edhe të Drinos dhe Osumit, duke shkaktuar probleme në Gjirokastër dhe Skrapar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›