E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ortakja e Argita Berishës, dy orë në prokurori

 

Flutura Kola ka dhënë shpjegime në lidhje me çështjen “Fazlliç” dhe transferimin e 1.7 milionë eurove

TIRANË- Avokatja Flutura Kola, ortakja e vajzës së kryeministrit Argita Berishës, është marrë në pyetje për dy orë nga prokuroria në lidhje me skandalin e “Damir Fazlliç”. Serbo-boshnjaku po hetohet për pastrim parash në vendin tonë ndërsa Flutura Kola ishte avokatja e tij, e cila ka kryer të gjitha veprimet. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë seksionit të task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit, të cilët nënvizuan se mbrëmjen e së enjtes aty nga ora 18:00 avokatja Kola është marrë në pyetje për dy orë nga prokurori Besnik Cani dhe oficeri hetues Artur Cara, duke firmosur procesverbalin e marrjes në pyetje në ora 20:00 të darkës.

***

Mësohet se marrja e saj në pyetje, është bërë në cilësinë e deklaruesit dhe personit që ka dijeni për çështjen, që Prokuroria e Tiranës ka nisur ndaj mikut të kryeministrit, shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazliç për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Sipas burimeve zyrtare mësohet se avokatja Kola ka pranuar të flasë e të japë shpjegime të hollësishme në lidhje me veprimet që ajo ka kryer për llogari të “klientit” Fazlliç, detaje këto që nga prokuroria nuk bëhen të ditur me pretendimet se “dëshmia e saj përbën sekret hetimor për çështjen”. Ndërkohë, burimet e “Shekullit” pranë seksionit të task-forcës konfirmuan se avokatja Kola ka pranuar se ka qenë përfaqësuesja ligjore në Shqipëri e shtetasit Damir Fazlliç, duke ia përgatitur të gjitha procedurat ligjore për shoqëritë që shtetasi serbo-boshnjak ka hapur në Shqipëri. Përveç, kësaj avokatja ka pranuar se ka qenë edhe përfaqësuesja ligjore “Altaria research limited” me seli në Qipro, e cila me firmën e saj ka kryer blerjen e kompanisë “Croën Aquisitions”. Kjo e fundit ishte pronë e shtetasit serbo-boshnjak Fazlliç. Sipas avokates Kola, shuma prej 1.7 milionë euro është tërhequr nga bankat në disa raste dhe më pas i është dorëzuar serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, pasi ky ishte edhe shitësi i kompanisë “Croën Aquisitions” ndaj kompanisë mëmë në Qipro “Altaria research limited”. Këto para, sipas saj, janë tërhequr në disa këste nga bankat dhe janë depozituar tek përfaqësuesi i kompanisë shitëse, por mësohet se ka pranuar se në “disa raste edhe vetë shtetasi Damir Fazliç ka qenë personi që ka tërhequr para nga kjo llogari bankare me rreth 1.7 milionë euro.

***

Ndërkohë, në lidhje me pretendimin se pronat e blera në fshatin “Rinia” në Porto Romano kanë qenë të komunës, avokatja Kola është shprehur se “shoqëria e Damir Fazlliç nuk ka blerë asnjë metër truall që i përket komunës apo pronave shtetërore”. “Nuk kam qenë anëtare e bordit pranë komisionit apo grupit të ngritur me procesin ligjor ku është bërë përgatitja e paketës ligjore për ngritjen e Parkut Energjetik në Porto Romano dhe gjatë gjithë kësaj kohe që unë punoj në zyrën ligjore timen nuk kam mbështet me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet publike apo aset shtetërore”,- mësohet të ketë thënë juristja Kola para hetuesit Artur Cara dhe prokurorit Besnik Cani. Sipas këtyre burimeve mësohet se më verifikimin llogarive bankare në Shqipëri nën emrin Damir Fazlliç apo kompanive në pronësi të tij, ka rezultuar se shuma më e madhe është 5 mijë euro. Edhe pas hetimeve gati dy mujore ende nuk janë verifikuar se ku ka përfunduar shuma e parave prej 1.7 milionë euro, pasi nga deklarimet e serbo-boshnjakut nën hetim, Damir Fazliç, është konfirmuar se kompania qipriotë “Altaria Research Limited” që bleu shoqërinë e ngritur në Shqipëri “Croën Acquisitions” sh.a. ishte e veta, duke lënë të kuptohet se ia shiti firmën e tij vetes së tij. Kjo shitje, sipas prokurorisë, deri më tani vërteton faktin se është një shitje fiktive dhe në shumë raste të ngjashme ndërkombëtare kjo shit-blerje mund të përdoret për efekt të “pastrimit të parave”, akuzë për të cilën po hetohet edhe nga prokuroria shqiptare.

TRANSAKSIONI

Si u shit kompania e Fazlliç për 1.7 milionë euro

TIRANË- Më 19 nëntor të vitit 2005, Damir Fazlliç dhe administratori i tij, Erion Isufi regjistruan dy firma të ndryshme: “Srf Development” dhe “Virtua Acquisitions”. Një ditë më vonë, serbo-boshnjaku Fazliç dhe Isufi hapën edhe një firmë të tretë, të cilën e quajtën “Croën Acquisitions”. Nga shqyrtimi i dokumenteve kuptohet qartë që firmat vetëm nga emërtimet ndryshojnë. Statutet dhe qëllimet e këtyre firmave janë të njëjta. Aktiviteti i firmave është operimi në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike tregtare dhe financiare për ndërmarrjet, por edhe tregtimin , import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshëm. Po kështu, të tre firmat kanë mbajtur të njëjtën adresë si selinë e tyre qendrore, adresë që administratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij (Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4). Më datën 9 korrik 2007, Fazlliç realizon zyrtarisht shitjen e firmës “Croën Acquisitions” (me vendim gjykate, nr. 34011/2) për llogari të një firme qipriote, të quajtur “Altaria Research Limited”. Firma qipriote nuk solli asnjë përfaqësues në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola, ortaken e vajzës së kryeministrit Sali Berisha, Argitës të studios ligjore “Malltezi & Kola”. Avokatja Kola, më datën 20 qershor 2007 firmosi kontratën e shitjes, ku kompania “Croën Acquisitions” shitet me një vlerë prej 1 milion e 700 mijë euro, ku në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës shqiptare. Nga vendimet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve rezulton se shtetasi Damir Fazliç është pronari i kompanisë që iu shit kompanisë qipriote, që vetë serbo-boshnjaku ka pranuar se është pronar i saj.

Ortakëria ligjore “Malltezi & Kola”

TIRANË- Më 8 tetor të vitit 2005, Flutura Kola së bashku me juristen tjetër, Argita Malltezi, regjistruan në Tiranë studion ligjore “Malltezi & Kola”. Megjithatë praktika e kësaj studioje tregon se vetëm dy muaj pasi u themelua, dy ortaket u ndanë. Në bazë të dokumenteve zyrtare rezulton se në të njëjtën date (15 dhjetor 2005), zonjat Flutura Kola dhe Argita Malltezi janë paraqitur tek e njëjta notere, Laura Pustina, për të regjistruar dy firma konsulence të mëvetshme. Për pasojë u formuan dy firmat “Malltezi & Associates” si dhe “Kola & Associates”, por adresa e tyre mbeti e njëjtë. Madje ato ndajnë ende të njëjtën zyrë por ligjërisht janë dy firma të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›