E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, uji paguhet nga 81% e qytetarëve

Fieri këtë sezon veror ndryshe nga ata të kaluar nuk është përballur me mungesë të ujit të pijshëm. Në pak raste të regjistruara gjatë kësaj vere, mosfurnizimi me ujë për disa orë ka ardhur si rezultat i mungesës së energjisë elektrike. Ujësjellësi i Fierit paraqet për gjashtëmujorin e parë të këtij viti tregues mjaft pozitivë si në zërin e arkëtimeve ashtu edhe në ato të investimeve të kryera për përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë. Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Agim Pleqi, deklaron se për çdo muaj ky institucion arkëton më shumë se 1.7 milionë lekë të reja. Ndërsa për vitin 2009 treguesit e arkëtimeve shkojnë në 81%. "Ne vijojmë të kërkojmë sensibilizimin e të gjithë komunitetit të qytetit të Fierit për pagesat e faturave të ujit që konsumojnë. Në vend, Fieri është i vetmi qytet që përmbush orare premtuese për furnizimin me ujë të pijshëm. Me gjithë trysninë e ditëve të verës nuk ka pasur mungesa të ujit, por njëkohësisht ky produkt ka qenë brenda të gjitha parametrave", është shprehur drejtori Agim Plepi, në analizën gjashtëmujore të ndërmarrjes që drejton. Ai premtoi se "për vitin 2009 ne si ujësjellës shpresojnë që ta mbyllim me një tregues afro 92% arkëtime dhe do të shtojmë bazën e faturimit me një sasi më të madhe, që mendohet të arrijë deri në afro 20%". Drejtori Plepi ka pohuar se janë gati projektet edhe për shtrirjen e rrjetit të furnizimit për zonat informale të këtij qyteti. Por këto projekte kërkojnë me domosdo edhe financime nga ana e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›