E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klori në pishina, "ashpërsohen" kontrollet

Pastërtia e ujit të pishinave, filtrimi e sidomos klorinimi i tij janë shqetësimet kryesore për frekuentuesit e këtyre oazeve verore pranë kryeqytetit, në këto ditë të nxehta. Për verifikimin e zbatimit me korrektesë të rregullores për pishina të pastra dhe që nuk shkaktojnë probleme për pushuesit, inspektorë të Drejtorisë së Higjienës në Tiranë, pohojnë se kryejnë kontrolle të vazhdueshme për kushtet higjieno-sanitare në këto destinacione verore.

Sipas inspektorëve sanitarë të kësaj drejtorie, të gjithë subjektet private që ofrojnë këtë lloj shërbimi për pushuesit kryeqytetas, duhet të plotësojnë rregulloret. Kjo, pasi në të kundërt, sqarojnë ata, përballen me masat ndëshkuese që vijojnë nga gjobat e larta e deri në mbyllje të aktivitetit të tyre.

"Në rregulloret që ne kërkojmë, kur shkojmë për kontrolle territori i pishinës zbrazet, pastrohet, dezinfektohet dhe përsëri rimbushet për të qenë në punë. Mendoj që ndodh në të gjitha pishinat dhe nuk besoj se do mund të ketë ndonjë neglizhencë", pohon Violeta Kërxhalli, inspektore sanitare, në Drejtorinë e Higjienës, në Tiranë. Ajo shpjegon se kur subjekti nuk i plotëson këto kushte, fillimisht i lihen detyra për një periudhë kohe. Nëse sërish verifikohen të njëjtat shkelje dhe subjekti nuk i ka respektuar detyrimet e përcaktuara në rregullore atëherë vendosen gjobat ose mbyllja e këtij aktiviteti".

Nga ana tjetër, inspektorët pranojnë se uji në pishinat e Tiranës është i pastër dhe plotëson parametrat higjieno-sanitare, por në urgjencat e Tiranës, jo në pak raste paraqiten qytetarë me infeksione në lëkurë. Kjo, shpjegojnë inspektorët, mund të vijë si pasojë e irritimit të lëkurës nga klori, por dhe nga faktorë të tjerë. "Nga kontrolli që ne kemi bërë, kemi parë që sasia e klorit në ujin e pishinave varion nga 0.8 miligramë për litër, deri në 1-1.5 mg për litër, të cilat janë parametra që nuk e dëmtojnë lëkurën", thotë inspektorja Kërxhalli, ndërsa nuk përjashton mundësinë e njerëzve me lëkurë shumë të ndjeshme nga klori. Por, sipas saj nuk është vetëm pishina shkaku. Ka shumë faktorë të tjerë që mund të çojnë në dermatite, që nga djersa, pluhuri, plazhet që janë të papastruara mirë, shezlonet.

Inspektorët sanitarë kontrollojnë çdo javë rreth 23 pishina, që ndodhen në Tiranë, ndërkohë që marrin çdo ditë të dhëna, nga trajnuesit sanitarë, që janë të punësuar pranë këtyre subjekteve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›