Trafikimi i fëmijëve, Shqipëria vend trazit
TIRANË – “Në Tiranë ka ende një numër të madh fëmijësh, kryesisht vajza që bien viktima të shfrytëzimit seksual. Që nga periudha e firmosjessë protokollit të përbashkët, vendi ynë mbetet ende një vend tranzit, për fëmijët e trafikuar nga lindja në perëndim të Evropës”. Kjo është deklarata e dhënë në kongresin e tretë botëror kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve të zhvilluar në Brazil, ku mori pjesë edhe Shqipëria. Në të bëhet e ditur se fëmijët “nga Bullgaria, Moldavia, Rumania, Rusia, Serbia dhe Ukraina trafikohen drejt vendeve si Italia, Greqia, por gjithashtu edhe Franca, Belgjika, Austria, Zvicra, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe disa shtete të Ballkanit. Për këtë përmendet edhe “çështja Braun”, ku shtetasi britanik, që drejtonte një jetimore, abuzonte seksualisht me fëmijët që strehoheshin në atë ambient.
Ndërkohë, duket se legjislacioni shqiptar është një “ndihmë” e madhe për trafikuesit e fëmijëve. Të paktën ky është fakti që bëhet i ditur në kongres, ku theksohet se “Shqipëria është vendi që nuk ka zhvilluar ende një plan veprimi kombëtar specifik kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve për përfitim”. Në të nënvizohet se qeveria shqiptare i ka përqendruar përpjekjet e saj në luftën kundër trafikimit, por format e tjera të shfrytëzimit seksual të fëmijëve për përfitim mbeten ende gjerësisht të patrajtuara, duke e klasifikuar këtë fenomen vetëm në një anë të medaljes.
Komuniteti rom në Shqipëri është edhe objektivi kryesor. Fëmijët e këtij komuniteti janë ndër grupet sociale më të theksuara për të rënë pre e trafikantëve. “Shfrytëzimi seksual është qëllimi kryesor i trafikimit të fëmijëve romë, të cilët vuajnë nga analfabetizmi”,- thuhej në raport. Kjo ndihmohet nga fakti se në Shqipëri mungon një sistem kombëtar i mirëstrukturuar për mbrojtjen e fëmijëve. Shumë përpjekje në bashkëpunim në nivel kombëtar dhe lokal janë fokusuar në luftën ndaj trafikimit, ndërkohë që formave të tjera të shfrytëzimit seksual të fëmijëve për përfitim u është kushtuar shumë pak vëmendje. Vendi ynë vuan nga një bashkëpunim në nivel ndërkombëtar. Ndërsa përpjekjet rajonale janë ende në hapat e parë dhe fokusohen kryesisht në trafikimin e fëmijëve, ndërsa sipas studimeve në vend, bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar kundër të gjitha formave të tregtisë së fëmijës është pothuajse inekzistent. Si rrjedhojë, organizatat joqeveritare, por edhe ato ndërkombëtare janë ende aktorët kryesorë në këtë fushë.
Ligji shqiptar e konsideron krim propozimin, përfitimin nga prostitucioni dhe parashikon ndëshkime të rrepta për dëme të kryera ndaj minorenëve, por ndërkohë duhet të amendohet me qëllim që të parashikojë gjithashtu edhe ndëshkimin e klientëve/fyesve të fëmijëve të prostituuar. Për më tepër, përkufizimi “minoren”, sipas raportit, nuk është i qartë dhe duhet të amendohet për të përfshirë të gjithë fëmijët, vajza dhe djem deri në moshën 18-vjeçare. Pavarësisht se në vitin 2008, Kodi Penal i Shqipërisë u amendua për të përfshirë dënimet në lidhje me pornografinë e fëmijës, këtij ligji i mungon përkufizimi për pornografinë e fëmijëve në përputhje me Protokollin jo të Detyrueshëm si dhe nuk kriminalizon zotërimin e pornografisë së fëmijës. Në Shqipëri mungojnë edhe shërbimet e mbështetjes të specializuara për fëmijët që kanë rënë viktima të shfrytëzimit seksual. Pak shërbime mbështjetjeje që ofrohen nga OJQ apo Shteti, ato nuk janë të përshtatshme për fëmijët pasi janë të dizenjuara për femra të shfrytëzuara seksualisht. Por edhe këto shërbime ekzistojnë kryesisht në zonat qëndrore dhe jugore të Shqipërisë, ndërsa zonat e tjera janë lënë nga shteti pas dore. Në këtë mënyrë rreziku i ritrafikimit mbetet ende i lartë.