E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, vdes nga gripi 25-vjeçarja

• Gripi i merr jetën 25-vjeçares. Ky është dyshimi i parë mbi shkaqet e vdekjes së të resë Aurora Gremi nga fshati Vajkan i komunës Mbrostar, në rrethin e Fierit.FIER/ Majlinda RamaAjo ndërroi jetë paraditen e djeshme gjatë rrugës për në spitalin e qytetit, duke vënë në alarm mjekët për virusin vdekjeprurës. Familjarët e vajzës kanë deklaruar se ajo nuk vuante nga sëmundje të tjera dhe prej ditësh ishte prekur nga një gjendje gripale, e cila ka ardhur duke u rënduar. Sipas mjekëve të spitalit të Fierit, duhet kohë për të dalë në një përfundim të qartë për shkaqet e vdekjes së papritur, ndërsa pritet përgjigjja e ekspertizës nga Instituti i Kriminalistikës në Tiranë. Burime nga spitali dhe familjarë të vajzës tregojnë, se ajo ka mbërritur dje në mjediset e urgjencës së spitalit rajonal të Fierit. Nëna dhe e motra që e shoqëronin u kanë kërkuar mjekëve kryerjen e një vizite, duke parë që gjendja e vajzës kishte ardhur duke u përkeqësuar, në krahasim me dy ditët e mëparshme. Por, dyshimet se mund të kishte ndërruar jetë gjatë rrugës u provuan kur mjekët kanë kryer ekzaminimin e parë. Madje, dhe gjatë rrugës për në spital, gjendja e saj ka qenë tepër e rëndë. Mësohet se nga ana e spitalit të këtij qyteti janë ngritur grupe mjekësh për konsulta, duke përfshirë një sërë specialistësh si pathologë, kardiologë, kirurgë dhe gjinekologët më të mirë të qytetit, të cilët i kanë kryer një vizitë të hollësishme trupit dhe po punojnë për të gjetur edhe shkakun e vërtetë të vdekjes së vajzës së re. Burime policore në orët e mbrëmjes kanë pohuar, se vajza mund të ketë pësuar një infarkt, i shoqëruar ky edhe me gjendjen gripale që e kishte zënë prej ditësh. Pasi janë pyetur nga uniformat blu, familjarët e Aurorës janë përgjigjur se ajo prej pak ditësh vuante nga gripi dhe nuk kishte ndonjë shqetësim tjetër, ndërkohë që shëndeti i saj është përkeqësuar vetëm mëngjesin e së enjtes. Ndërkohë që trupi i Gremit është në morg, mjekët e spitalit të Fierit kanë konfirmuar se deri tani e sigurt është që 25-vjeçarja nuk ka konsumuar lëndë helmuese dhe se vdekja e saj ka ardhur nga shkaqe natyrore. Por vdekja e saj në këto rrethana ka vënë në lëvizje të gjitha bluzat e bardha edhe për faktin se nëse rezulton se është vdekje jo nga infarkti, por nga gripi, atëherë rreziku për qytetarët është fare pranë dhe kjo do të përhapte një panik tek ata që ndihen të pambrojtur nga virusi i gripit. Nëna: E lamë pas doreE ndodhur në ambientet e spitalit nëna e 25-vjeçares, Behija, tregon se ajo e ka shoqëruar të bijën në spital sepse ishte me temperaturë të lartë dhe në gjendje të rëndë gripale. Gruaja e moshuar thotë, se vetëm dy ditë më parë kishte qenë për vizitë në spital, por të bijën nuk e kishte marrë, pasi atë e kishte zënë një ftohmë e lehtë. Ajo shton, se e bija nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike, ndaj edhe nuk e kishin çuar më parë për vizitë. “Menduam se e kishte zënë një grip i lehtë, por kurrsesi se kishte kaluar në gjendje kaq të keqe. Me urgjencë e kemi prurë në spital, por na thanë që kishte dhënë frymë rrugës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›