E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët që hanë peshk, më pak të riskuar nga alergjitë

• Një studim i ri zviceran ka treguar se, nëse konsumohet peshk rregullisht, fëmijët janë më të mbrojtur nga alergjitë. Studimi i kryer pranë Universitetit të Stokholmit, ka përfshirë 4.100 fëmijë që janë ndjekur për një periudhë prej 8 vitesh.Objekt studimi janë bërë sjelljet ushqimore të të vegjëlve dhe alergjitë që shfaqen gjatë follow-up. Rezultatet kanë vërejtur se në moshën 1 vjeçare, 90% e fëmijëve hanin rregullisht peshk, madje 96% e të gjithë fëmijëve ka vazhduar të konsumojë këtë ushqim rregullisht deri në moshën 8-vjeçare. Nga analizimi i të dhënave studiuesit kanë konkluduar se ata që konsumonin peshk rregullisht, ishin të mbrojtur nga rreziku i alergjive: në veçanti, nëse hanin peshk më tepër se një herë në javë, ulnin riskun për të shfaqur alergjinë nga polenet apo forma të tjera alergjike. Inger Kull, përgjegjës i studimit, nënvizon se përfundimet e studimit bien në kundërshtim me teoritë që kanë shoqëruar shpesh konsumin e peshkut gjatë fëmijërisë: “rezultatet e arritura në studimin tonë, nuk tregojnë për një rritje të riskut për shfaqjen e alergjisë tek fëmijët, por përkundrazi tregojnë se nëse merret sasia e duhur e këtij ushqimi, fëmijët mund të mbrohen nga alergjitë, ndoshta fal acideve yndyrore omega-3 që favorizojnë një zhvillim korrekt të sistemit imunitar”, ka sqaruar studiuesi për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Për të rivlerësuar rolin e peshkut gjatë fazës së parë të fëmijërisë ka shërbyer dhe një studim tjetër i kryer nga një studiuese greke Leda Chatzi, që punon pranë Universitetit të Kretës. Ajo ka studiuar 460 fëmijë spanjollë, që nga lindja deri në moshën 6 vjeç, për të zbuluar se mes të vegjëlve që konsumonin sasi të mëdha peshku dhe perime(domate, fasule, kunguj), vihej re një incidencë e ulët me astmë alergjike. Studiuesja greke ka treguar se në substancat antioksidante që ndodhen në këto ushqime, “fshihet” sekreti për t’u mbrojtur nga alergjitë: “perimet e seleksionuara janë të pasura me beta-karotenë, likopenë, vitamina C dhe peshku përmban omega-3 që ndihmojnë në luftimin e inflamacioneve dhe përmirësojnë funksionin e sistemit imunitar”, ka shpjeguar Chatzi në revistën shkencore “Pediatric Allergy and Immunology”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›