Fieri, KQZ certifikon mandatin e 9-të për PS-në
KQZ-ja nuk merr parasysh pretendimet e PD-së, që mund të ndikonin në përmbysje të rezultatit. PS-ja fiton ligjërisht mandatin e 9-të në Fier
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar dje edhe zyrtarisht mandatin e nëntë të deputetit për Partinë Socialiste, për zonën zgjedhore të Qarkut të Fierit.
Me 7 vota pro, anëtarët e këtij komisioni, pavarësisht kontestimeve të forta të palëve në proces, i janë bindur verdiktit të shprehur nga qytetarët e Fierit, që ka dalë nga dhjetë kutitë e votimit që, për shkaqe të ndryshme, nuk ishin numëruar nga KZAZ-të përkatëse, duke miratuar në këtë mënyrë përfshirjen e rezultateve, që prodhuan ato në tabelën përmbledhëse të Qarkut të Fierit.
Debati
Pasi numëroi një ditë më parë të gjitha kutitë e kontestuara nga dy forcat e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, KQZ-ja ka hapur dje seancën tjetër të gjykimit administrativ për të përmbyllur hetimin dhe për të marrë vendimin për fatin e rezultateve të dala prej tyre.
Për këtë arsye, ajo ka thirrur dhe një herë ankimuesit dhe palët e interesuara që të shprehin edhe një herë pretendimet e tyre përfundimtare para se të hidhte në votë vendimmarrjen për këtë çështje.
Në fillim ka qenë përfaqësuesit e PD-së dhe ata të PDI-së ata që kanë shprehur objeksionet e tyre për sa i përket kërkesës së socialistëve, duke kundërshtuar vetëm tabelën e rezultateve të tre qendrave të votimit dhe konkretisht ato me numër 3006, 3185 dhe 3188, për këto dy të fundit KQZ-ja pranoi tabelat e hartuara nga GNV-të, pa i rihapur ato për të bërë verifikimet.
Por, pikërisht fakti që KQZ-ja nuk pranoi që t'i rihapë për të bërë ballafaqimet e pretendimeve, ka qenë dhe baza e argumentit mbi të cilin përfaqësuesit e PD-së mbështetën kundërshtimin e tyre. Ndërkohë që, për sa i përket kutisë me numër 3006, ata kanë kërkuar që 210 fletët votimit të kontestuara si të parregullta, të shpalleshin të pavlefshme.
"Gjatë hetimit administrativ për kutinë 3006 dhe kutitë 3185 dhe 3188, dolën parregullsi të mëdha, çka e bënë rezultatin që ato prodhuan të dyshimtë dhe prandaj ne kërkojmë që ato të mos përfshihen në tabelat përmbledhëse.
Dua t'ju kujtoj se vetëm për kutinë me numër 3006, u gjetën më shumë se 210 fletë votimi të dëmtuara, që nuk plotësonin standardet e ligjit, prandaj kërkojmë që të shpallen të pavlefshme", - tha përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.
Por, një pretendim i tillë është hedhur poshtë nga dy avokatët e PS-së, Eno Bushi dhe Arja Salati, të cilët kanë sjellë edhe një herë në vëmendje të KQZ-së se për këto tri kuti ka një vendim tashmë të këtij komisioni, për t'i vlerësuar si të rregullta dhe ajo që mbetej për t'u bërë ishte thjesht vetëm pasqyrimi i rezultateve të tyre në tabelën përmbledhëse të këtij qarku.
Avokati i PS-së, Bushi, kërkoi gjithashtu nga ky komision që të rrëzojë kërkesën e PD-së për kutinë e votimit 3052, që i përket komunës Ruzhdie. Pro kërkesës së socialistëve ka qenë edhe përfaqësuesi i LSI-së në këtë komision, Ilirian Muho.
Miratimi
Për shkak se rezultati i dalë nga këto tri kuti mund të ndikonte direkt në fatin e mandatit të fundit të Qarkut të Fierit, KQZ-ja, ndoshta edhe për shkak të presionit të ndërkombëtarëve (në tri ditët e fundit, kreun e KQZ-së e kanë vizituar ambasadori amerikan, Xhon Uidherss dhe dje ambasadorja e ODIHR-it, Audrey Glover) është treguar e kujdesshme për të mos provokuar më tej socialistët, të cilët kishin paralajmëruar protesta në rast se ky mandat do t'i lihej padrejtësisht PD-së.
Për këtë arsye, KQZ-ja, pavarësisht këmbënguljes së nënkryetares Dëshira Subashi për të miratuar më parë një vendim për rrëzimin e kërkesës së PD-së për hapjen e dy kutive të Libofshës me numër 3185 dhe 3188, ka vendosur të hedhë në votim vetëm rrëzimin e vendimit të mëparshëm të KQZ-së për tabelat e rezultateve për Qarkun e Fierit dhe të përfshijë në to rezultatet e dala nga 10 kutitë e numëruara.
Nga numërimi i këtyre kutive, koalicioni i majtë morri 2179 vota kundrejt 1455 që morri koalicioni djathtë. Për rrjedhojë, PS-ja siguroi mandatin e saj të nëntë me një avantazh lehtë.