Fieri çmendet nga zhurmat, drejtoria e mjedisit kërkon ndërgjegjësim qytetar
>Ndotja akustike është kthyer në shqetësim të përhershëm për banorët e qytetit të Fierit, veçanërisht të atyre që jetojnë në lagjet industriale të tij, ndërsa vihet re se drejtuesit vendorë si dhe drejtuesit e drejtorisë së mjedisit kanë heshtur përballë një problemi të tillë. Ky shqetësim është bërë prezent edhe gjatë disa mbledhjeve të herëpashershme, pasi janë sjellë ankesat e qytetarëve pranë pushtetit vendor dhe prefekturës.
Sipas qytetarëve fierakë, ndotja akustike jo vetëm që nuk mundëson pushimin dhe çlodhjen e banorëve, por në të njëjtën kohë është kthyer në stres për ta. Në të njëjtën kohë kjo lloj ndotjeje, e cila po merr përmasa alarmante, duket se po ndikon fuqishëm edhe në ndalimin e zhvillimit të turizmit në këtë qytet. Në shumë lagje fare pranë shtëpive të banimit enden pika kovacani, prerje të mermerit, prerje të vetratave, përpunim druri, marangozë, servisë automjetesh, llamarinisë e shumë zanate të tjera që nuk kontrollohen gjatë orëve të mbrëmjes sidomos kur edhe qytetarët janë duke u qetësuar në familjet e tyre. Në çdo cep të qytetit janë vendosur pika të tilla "të nxehta", që për banorët e qytetit janë vetëm një shqetësim i stërmadh pasi kanë lënë punën e tyre të përditshme. "Do të braktisim qytetin sepse u bëmë daulle nga zhurmat. Nga drejtoria e mjedisit nuk është marrë asnjë masë dhe ne po vazhdojmë me të njëjtin shqetësim prej vitesh vetëm se tani shtohen edhe zhurmat e automjeteve në qytet, që janë si pikat e shiut. Kemi shkuar disa herë pranë agjencisë së mjedisit dhe na kanë premtuar se ndotja akustike do të eliminohej përfundimisht brenda vitit 2008 dhe kjo nuk ka ndodhur edhe tani, që po përfundon janari. ", thotë Majlinda Dardha, një grua që banon pranë rrepeve në qytetin e Fierit. Ndërkohë, shumë banorë të tjerë shprehen se asnjëherë nuk kanë kuptuar se kush e shton më tepër zhurmën. Ata tregojnë për një miks tingujsh të shëmtuar që i griçin përditë. Ndërkohë, drejtorja e mjedisit, Angjelina Mërtiri mbështet zërin e qytetarëve, por ajo sqaron se do të duhet pak ndërgjegjësim qytetar që situata alarmante të qetësohet. "Ndotja akustike shton stresin tek njerëzit dhe ul ndjeshëm aftësinë në punë. Ne e dimë këtë, por jemi në pritje të ndonjë strategjie efikase pasi të gjitha subjektet që bëhen burim i ndotjes akustike janë të licecuar dhe taksapagues të rregullt pranë drejtorisë së tatimeve. Në rast se ne do ti kërkojnë individit të lëvizë nga njëra pikë shitje apo nga njëri dyqan tek tjetri, do të thotë që duhet ti sigurojmë edhe një tregti të sigurt, por ne nuk kemi kaq mundësi", ka vijuar Mërtiri. Ndërkaq, specialistë nga shëndeti publik tregojnë se kjo lloj ndotjeje akustike që krijohet sot në Fier, është vrasëse dhe me pasoja tek banorët.