E Diel, 1 Nëntor 2026

PS e Durrësit akuzon: taksat portale janë trefishuar

>Po denoncojmë një skandal të madh që po ndodh lidhur me rritjen e pakuptimtë e tejet abuzive me taksat e vendosura së fundi nga Autoriteti Portual i Durrësit. Kështu është shprehur në një konferencë për shtyp kreu i PS-së së Durrësit, Gazmir Bizhga, i cili ka deklaruar se porti i Durrësit ka trefishuar tarifat. Përpara pak ditësh dhe në mënyrë gjysmë klandestine APD-ja në kulmin e një krize globale rriti në mënyrë të menjëhershme dhe pa u konsultuar me asnjë nga operatorët privatë vendas e të huaj apo me këshillin konsultativ të tyre të gjitha taksat portale, duke rënduar në këtë kohë krize barrën fiskale të biznesit detar dhe biznesit që operon mallrat nga ky port, por duke rritur fiktivisht edhe çmimet e biletave për të gjithë pasagjerët që kalojnë sot e tutje nga Porti i Durrësit. Bizhga deklaroi se: "Kjo kastë e korruptuar që drejton sot Portin e Durrësit dhe që është e lidhur drejtpërsëdrejti me klanin shtetëror e familjar të kryeministrit në Durrës, i ka rritur deri në trefishim taksat portuale me të vetmin qëllim që të mbushë në mënyrë të dhunshme arkën për të zhvilluar tendera e prokurime abuzive përfitimet e të cilave shkojnë në të ardhurat e këtij klani dhe që ne i kemi denoncuar jo pak herë si dhe për të paguar fiktivisht pa vajtur në punë një çetë mitingashësh e komisionerësh të PD-së. Siç do ta shikoni edhe nga tabelat, rritjet e këtyre taksave, të cilat shkojnë me herë e jo me përqindje kanë bërë që të asfiksohet edhe ai pak aktivitet ekonomik që po mbijetonte i armatorëve shqiptarë duke i falimentuar dhe detyruar të shesin apo ti lënë në radë anijet e tyre, pasi ju kushtojnë më lirë sesa të punojnë.
Rritja e taksave
Më tej kreu i PS-së së Durrësit ka vijuar se: Sot porti i Durrësit, i cili është bërë çifligu detar i kryeministrit, ka taksat dhe tarifat më të larta të shërbimeve dhe pasagjerëve sesa të gjitha portet fqinje e ato të Mesdheut. Rritja e taksave siç do ta shikoni nëpërmjet tabelave nuk është vetëm për operatorët e anijeve dhe trageteve, por edhe të pasagjerëve. Kështu, tarifat e imbarkimit për person në Bari e Ankona është në nivelin 2 euro, në portin e Durrësit me taksat e reja do të shkojë 6 euro. Çudia më e madhe është se APD ka shpikur për herë të parë edhe taksën e ç' imbarkimit e të sigurisë që rëndon drejtpërsëdrejti në koston e biletës së pasagjerëve dhe që nuk gjendet në asnjë prej porteve të rajonit. Janë rritur me dy-tre herë taksat e kalimit dhe ankorimit në port, psh nëse një anije apo traget me një tonazh të përcaktuar për një hyrje dalje në port do të paguante 599,4 E me tarifat e reja do të paguajë 2125,7 E pra tre herë më shumë gjë që ka bërë që fluksi kryesor i trafikut tranzit të mallrave dhe pasagjerëve të shkojë drejt Tivarit apo Igumenicës duke e ulur në minimumin historik punën në portin e Durrësit. Janë dy-trefishuar tarifat e përpunimit të mallrave dhe mjeteve nga ana e APD duke e bërë të pamundur punën edhe të subjekteve të tjera që punojnë në tokë, por brenda terrenit portual".  Duke vlerësuar edhe distancat që kanë portet e Igumenicës, Selanikut, Tivarit me kryeqendrat ekonomike të Ballkanit, e vetmja mundësi që ka porti i Durrësit për të konkurruar trafikun e mallrave dhe njerëzve në aksin lindje-perëndim janë vetëm tarifat e ulëta. Ky veprim e bën të pamundur konkurrencën dhe në këtë situatë ekonomike që kalon vendi dhe rajoni i ka falimentuar thuajse të gjitha bizneset që operojnë në port. Të gjithë e mbajnë mend gënjeshtrën e radhës së kryeministrit për taksa të ulëta për biznesin vendas, por realiteti është krejt ndryshe në portin detar. Klani i tij po i zhvat shqiptaret në mënyrat më të paskrupullta dhe njëra ndër to janë edhe taksat e portit, ku ka tash tre vjet që abuzohet turpshëm me fondet publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›