E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesila Doda: Kam qenë pjesë e politikës në role të ndryshme

Kandidatja e PD-së, e treta në Qarkun e Fierit, Mesila Doda, tregon strategjinë e saj se çfarë do të ofrojë në qeverisjen e nesërme. Duke komentuar listën e Partisë Socialiste, kandidatja Doda thekson se "ju më pyesni se kush është më interesant mes personave që kanë një të kaluar të errët historike, që kanë qenë pjesë e një sistemi kriminal komunist".

Pse vendosët të garoni në zgjedhjet e 28 qershorit nën siglën e Partisë Demokratike?

Unë bëj pjesë në brezin e mrekullueshëm të të rinjve të viteve ‘90. Kemi qenë pjesë aktive e krijimit të PD dhe më pas protagonistë në lëvizjet e mëdha studentore. Mendoj se një histori e tillë të shenjon edhe në zgjedhjet e mëtejshme në jetë. Besoj se afrimiteti im me Partinë Demokratike zë fill asokohe, përtej faktit që karriera ime nuk është bërë si pjesë e administratës së saj të mëvonshme. Nga ana tjetër, qeverisja aktuale e Partisë Demokratike, e vlerësuar jashtë pasioneve apo simpative momentale shënon një hop cilësor në jetën e vendit. Është një katërvjeçar që përmbledh reforma të thella në të gjitha fushat jetike, është katërvjeçari që realizoi anëtarësimin e vendit në NATO, që realizoi nënshkrimin dhe ratifikimin e MSA-së, realizoi aplikimin e Shqipërisë si vend anëtar i BE-së, është qeverisja që realizoi mijëra kilometra rrugë, ujësjellës, shkolla të rikonstruktuara, është qeverisja që realizoi një rritje fenomenale të pensioneve, rrogave, është qeverisja që zgjidhi problemin e energjisë pa ndërprerje në çdo cep të vendit. Është një bilanc i jashtëzakonshëm...nuk mund të mos isha e lumtur të bëhesha pjesë e këtij shndërrimi.

Si e konsideroni ngjitjen tuaj të shpejtë në karrierën politike dhe faktin që tanimë jeni në listën e sigurt të kandidatëve për deputetë?

Unë mendoj se nuk kam bërë një ngjitje të pakuptimtë. Kam qenë pjesë e politikës në role të ndryshme...gazetare, opinioniste, nëpunëse e lartë. Së fundmi, kryeja detyrën e kryetares së KKRT-së, një rol po aq i rëndësishëm dhe me një shkallë të madhe përgjegjësie. Nga ky pozicion, në atë të kandidates për deputete, është një shkallë e bukur në karrierë, por nuk mendoj se është spostim i papritur apo i pamerituar.

A mund të konsiderohet rasti juaj një model për femrat që duan të angazhohen në skenën politike?

Unë mendoj se çdo rast është i mirë për t‘u konsideruar si arritje e një individi që ka kërkuar dhe ka punuar shumë në jetë. Besoj se kandidatura ime është njëlloj e vlefshme si ajo e dhjetëra zonjave dhe zonjushave që garojnë në këto zgjedhje, por besoj se ka brenda vetes individualitetin dhe rastësinë e papërsëritshme që posedon çdo individ njerëzor.

Nuk di nëse një rast i tillë mund të konsiderohet model i karrierës apo futjes në politikë, por di që ka brenda vetes shumë mund dhe shkallë....shkallë që janë ngjitur një e nga një, diku kanë zbritur e diku janë ngjitur....Kjo e tashmja është një shkallë e rëndësishme dhe unike! Unë do i përkushtoj këtij momenti më të mirën e vetes sime!

Çfarë mund t‘i ofroni ju qeverisjes së nesërme dhe performancës së partisë suaj?

Përkushtim, realizëm, eficensë në zgjidhjen e problemeve të ardhshme, luajalitet në skenën politike, mbështetje për çdo hap të lehtë a të vështirë që sjell progres. Mendoj se të gjithë kemi nevojë për një kod të ri besimi reciprok, ku secili nga aktorët e vegjël apo të mëdhenj të ndihet në ecjen e tij i sigurt, i mbështetur e i përkrahur. Do vazhdoj të mbetem njeri luajal, i guximshëm e i përgjegjshëm.

Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do t‘u duhej të vlerësonit njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, cili do të ishte ai?

Ju më pyesni se kush është më interesantë mes personave që kanë një të kaluar të errët historike, që kanë qenë pjesë e një sistemi kriminal komunist, mes personave të blerë nga pushteti gjyqësor apo shoqëria civile, apo mes të tjerëve që sot e gjithë ditën përfliten publikisht se kanë përfituar pa të drejtë nga posti që kanë pasur. Më vjen keq, por nuk mundem të jap përgjigje pozitive...

CV

Mesila Doda

-Ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës (1986-1991)

-Ka studiuar në Fakultetin e Filozofisë, Universiteti "Pontific Urbaniana", Vatikan(1991 - 1995)

-Master në filozofi, Universiteti "Pontific Urbaniana", (2006-2008)

-Ka qenë shefe e Kabinetit pranë Ministrisë së Drejtësisë, analiste e shtypit në Drejtorinë e Informacionit pranë Këshillit të Ministrave

- Zëdhënëse e shtypit në Ministrinë e Pushtetit Lokal, (1998-1999), zëdhënëse e Kryeministrit, drejtore e Departamentit të Shtypit në Këshillin e Ministrave, këshilltare për mediat


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›