E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seseri: Kruja refuzon të jetë bastion i Partisë Demokratike

Kandidatja e Partisë Socialiste në Qarkun e Durrësit, Rudina Seseri, rrëfehet për sfidën e saj elektorale, pse la karrierën në Amerikë dhe cilat janë projektet në Shqipëri.

Zonja Seseri, ju keni një shkollim, profesion dhe një jetë tuajën në Perëndim. A ia vlen të lësh "Wall Street" për Partinë Socialiste?

Unë jam larguar nga "Wall Street" në vitin 2003 për të bërë studimet në Harvard Business School. Kështu që dilema nuk është lënia e Wall Street apo jo. Besoj që pyetja juaj kërkon të hedhë dritë mbi dilemën e lënies në mes të karrierës time në sipërmarrjet private dhe investimet në SHBA përkundrejt sfidës për t‘u kthyer dhe kontribuar në Shqipëri. Do të gënjeja në qoftë se do të thosha se ka qenë një vendim i lehtë, pasi bashkëshorti im dhe unë më së fundi kishim arritur një stad të caktuar jetese dhe lënia e gjithçkaje mbrapa për Shqipërinë përbën një kosto reale. Në të njëjtën kohë, sfidën për t‘u kthyer në Shqipëri e për t‘u bërë pjesë e ekipit që i jep fund periudhës së tranzicionit nuk mund të mos e ndërmerrja. Unë jam kthyer për të kontribuar për Shqipërinë dhe skuadra më e hapur, më me vizion dhe më aftë për ta transformuar pozitivisht Shqipërinë është ajo e Partisë Socialiste.

Çfarë ju lidh me Qarkun e Durrësit, si e shihni realitetin në këtë zonë?

Unë kandidoj në Qarkun e Durrësit, sepse babai im dhe familja ime vjen nga Kruja. Kandidimi në Krujë është jo thjesht i logjikshëm, por mbart edhe një rëndësi personale për mua. Babai im vdiq kur unë isha vetëm një vjeç dhe unë s‘pata kurrë fatin ta njoh atë. Kandidimi në Krujë krijon një urë mes gjeneratash për mua, krijon një prekshmëri konkrete me familjen time, duke i dhënë një domethënie të re jo vetëm prejardhjes time po dhe të ardhmes. Në lidhje me pyetjen me realitetin në këtë zonë, Kruja është një nga rrethet më të abandonuara nga qeveria e sotme. Në Krujë mbizotëron papunësia, mundësitë e arsimimit të përgjithshëm janë të kufizuara, ndërkohë që shkollat për arsimin profesional nuk ekzistojnë. Varfëria dhe blerjet me lista janë tashmë standardi, ndërsa ambienti i ndotur dhe sëmundjet e mushkërive që prekin të gjitha moshat janë problemet parësore për këtë zonë. Janë pikërisht këto probleme që unë dua të adresoj dhe zgjidh për Krujën, një sfidë jo e vogël, por e nevojshme.

Ku e bazon PS dhe ekipi i kandidatëve fitoren në Qarkun e Durrësit?

Ne do të na votojnë qytetarët e Qarkut të Durrësit, sepse ne do të zgjidhim realisht problemet e tyre nga papunësia te nxitja e sipërmarrjes, nga mbështetja sociale tek arsimi, nga zhvillimi i mirëfilltë i turizmit te shërbimet. Ndryshe nga qeveria e sotme që i mat arritjet e saj me sa para ka harxhuar, pa asnjë përgjegjësi se si janë keqmenaxhuar këto para dhe pa u preokupuar për keqësimin e jetës së qytetarëve dhe rritjen e varfërisë, ne do të jemi konkretë në hapat që do të ndërmarrin për zhvillimin e Qarkut të Durrësit dhe të përgjegjshëm që rritja e mirëqenies së qytetarëve nuk është një aspiratë teorike, por një detyrim real i qeverisë "Rama".
Nga këndvështrimi juaj, si është ecuria e fushatës elektorale e deritanishme?

Fushata ime është e përqendruar në Qarkun e Durrësit, sidomos në Krujë. Prioriteti im është të takohem me qytetarë të ndryshëm dhe të flas për problemet e tyre, të ndaj me ta zgjidhjet që ofron programi i Partisë Socialiste dhe vizionin që ne kemi për Shqipërinë. Në nivelin personal, jam krenare, sepse Kruja refuzon të jetë përsëri një bastion i Partisë Demokratike, e lënë në harresë dhe abandonim total siç ka ndodhur në katër vitet e fundit. Kësaj radhe, Krujës do t‘i numërohen votat dhe krutanët do të votojnë për ekipin e Ramës që ofron zgjidhje konkrete ekonomike dhe sociale.

Çfarë vlerësoni ose jo te strategjitë dhe qëndrimet e kampit kundërshtar?

Me strategjitë dhe taktikat e frikësimit dhe kërcënimeve ndaj qytetarëve, siç po ndodh në mënyrë rutine në Krujë, po okupohet pala kundërshtare. Prioriteti im janë qytetarët e qarkut dhe problemet e tyre; prioriteti im është përmirësimi i jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të qarkut nëpërmjet punësimit dhe arsimit.

CV

Rudina Seseri

-Ka kryer studimet e larta për Ekonomi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në "Wellesley College" nga ku përfundoi me titullin e lartë për ekselencë akademike

-Master në Administrim Biznesi te "Harvard Business School"

-Mban titullin "Principal te Fairhaven Capital"

-Ka qenë menaxhere e Përgjithshme te "Microsoft Corporation"

-Ka qenë përgjegjëse e strukturimit dhe negocimit të akuizicioneve/blerjeve dhe investimeve në kompani dhe teknologji të reja për Microsoftin

- Ka qenë bankiere investitore në "Wall Street" te "Credit Suisse First Boston"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›