E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti bojkoton Samitin e Serbisë

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, nuk do të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Europës Juglindore që do të zhvillohet në Novi Sad në Serbi. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se shkak për këtë bojkot nga Presidenti shqiptar është bërë mungesa e ftesës për homologun kosovar, Fatmir Sejdiu. Samiti do të zhvillohet më 18 dhe 20 qershor, ku temë kryesore e diskutimit do të jetë politika ekonomike, energjetike e rajonit. Në samit do të marrin pjesë Presidenti austriak, Presidenti bullgar, ai kroat, moldav, çek, maqedonas, italian, slloven, sllovak, ukrainas dhe Presidenti boshnjak. Sipas burimeve zyrtare të Presidencës shqiptare shkak i mospjesëmarrjes së Presidentit shqiptar Bamir Topi në samit është axhenda e ngjeshur që ai ka në datat 18 dhe 20 qershor. Këto burime nuk duan të bëjnë komente të tjera mbi anulimin e kësaj vizite. Ky veprim i kreut të shtetit shqiptar vjen pas dy situatave me të cilat është përballur në javët e kaluara. Pak kohë më parë, Presidenti Bamir Topi pranoi të marrë pjesë në një eveniment të organizuar në Maqedoni. Aty nuk ishte i pranishëm Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili nuk mori ftesë, çka shkaktoi shumë polemika në Kosovë. Një tjetër vizitë rajonale e Topit ishte ajo në Malin e Zi, ku sërish tryezës i mungonte homologu kosovar Sejdiu, për të njëjtat arsye. Topi në këtë rast duket të ketë bërë zgjedhjen e tij, i detyruar nga mosprezenca e Sejdiut, por dhe situata e brishtë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar bojkotojnë tryeza dhe samite të rajonit, teksa shohin se pjesë e tyre nuk është shteti më i ri, Kosova. Gati një vit më parë, Ministria e Integrimit, e ftuar në një samit të zhvilluar po në Serbi, u përfaqësua me sekretarin e përgjithshëm, i cili u largua nga takimi në momentin kur u mësua se Kosova nuk do të ishte pjesë e tryezës së punimeve. Zyrtari i Ministrisë së Integrimit kërkoi që Kosova të ishte pjesëtare në tryezë, por pala serbe e kundërshtoi një fakt të tillë, duke theksuar se nuk e njihnin Kosovën si shtet, ndaj pala shqiptarë u largua nga takimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›